Ragmi Mustafa takohet me kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati – paralajmëron pjesëmarrjen në protestën e Tiranës
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, z. Hysni Gucati, me të cilin ka biseduar për proceset që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftimin e tij publik, Mustafa ka theksuar rëndësinë e mbështetjes ndaj çlirimtarëve dhe ruajtjes së vlerave të luftës së drejtë të UÇK-së, duke nënvizuar se Partia Demokratike Shqiptare do të marrë pjesë më 17 dhjetor në Tiranë në protestën e organizuar nga OVL e UÇK-së.
“Lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet themeli i lirisë sonë. Është detyrë e secilit prej nesh të ruajmë dinjitetin e saj dhe të qëndrojmë të bashkuar përballë çdo padrejtësie”, ka shkruar Mustafa.
Ndërkohë, Mustafa nuk ishte pjesëmarrës në protestën e mbajtur në Hagë, por ka paralajmëruar angazhimin e tij në protestën e Tiranës për të shprehur mbështetjen ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.