QEVERIA E KURTIT IA HEQ PRESIDENTËS OSMANI KOMPETENCAT NGA PLANI I REAGIMIT KOMBËTAR
Qeveria e Albin Kurtit, ia heq edhe një kompetencë presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, e cila sipas Kushtetutës i takon presidentes. Përplasja mes Presidentes Vjosa Osmani me Qeverinë Kurti ka shkuar në nivel tjetër. Edhe këtë herë me ndihmën e zyrtarëve të partisë “Guxo”, që ishte themeluar nga vetë Osmani. Qeveria ia ka hequr Osmanit kompetencat nga Plani i Reagimit Kombëtar, për t’ia kaluar vetes. Në krye të këtij plani ka qenë zyrtari i kësaj partie, Blerim Gashani, shkruan Reporteri.net., përcjell, a1info.
Kryesuesi i Grupit Punues për Planin e Reagimit Kombëtar, njëherit zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, ia ka hequr Presidentes Vjosa Osmani kompetencat nga Plani i Reagimit Kombëtar, që kanë qenë në planet paraprake, por edhe që i takojnë sipas Kushtetutës, e ia ka kaluar të njëjtat Qeverisë.
Në Planin e Reagimit Kombëtar të miratuar në vitin 2010 e që ka qenë në fuqi deri tani, ky Këshill ishte përgjegjës për koordinimin e politikavedhe strategjive ndër institucionale lidhur me menaxhimin e incidenteve, siç urdhërohet nga Presidentja.
“Këshilli i Sigurisë së Kosovës është përgjegjës për koordinimin e politikave dhe strategjive ndër-institucionale lidhur me menaxhimin e incidenteve vendore dhe ndërkombëtare, përkatësisht, siç urdhërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës”, parashihej në planin paraprakë.
Një ndryshim i tillë cenon rolin kushtetues të Presidentes si udhëheqëse e Këshillit të Sigurisë në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme si dhe komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky ndryshim mund të ketë pasoja serioze në funksionimin e mekanizmave të sigurisë në vend, veçanërisht në situata krizash, ku rolet, kompetencat dhe përgjegjësitë e secilit autoritet dhe institucion shtetëror janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë dhe Ligjin për Themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.