PVD shënon 36-vjetorin e themelimit: Nga rezistenca drejt barazisë, zhvillimit dhe dinjitetit
Partia për Veprim Demokratik (PVD) ka shënuar sot 36-vjetorin e themelimit, duke rikujtuar rrugëtimin politik që nga 19 gushti i vitit 1990 dhe duke paralajmëruar një fazë të re të angazhimit për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në mesazhin e publikuar me rastin e përvjetorit thuhet se PVD u krijua në një periudhë kur shqiptarët e Luginës kishin nevojë për organizim, përfaqësim dhe një zë politik institucional.
“36 vite janë një kohë e gjatë në jetën e një njeriu, por edhe një kapitull i rëndësishëm në historinë politike të një populli”, thuhet në mesazh.
Duke rikujtuar historikun e saj, PVD përmend organizimin e Referendumit, pjesëmarrjen në zgjedhje, qeverisjen e komunave, kontributin në krijimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësimin e shqiptarëve në nivel parlamentar.
Megjithatë, në mesazhin e përvjetorit pranohet se edhe pas 36 vitesh shumë nga objektivat për të cilat u themelua partia vazhdojnë të mbeten të parealizuara.
Sipas PVD-së, shqiptarët në Luginë vazhdojnë të përballen me diskriminim institucional, përfaqësim të pamjaftueshëm në institucionet shtetërore, zhvillim të pabarabartë ekonomik, probleme në arsim dhe përdorimin e gjuhës shqipe, pasivizimin e adresave dhe largimin e të rinjve.
“Pas 36 vitesh, nuk mjafton të themi se kemi histori. Duhet të tregojmë se çfarë do të bëjmë me këtë histori”, theksohet në mesazh.
PVD paralajmëron se synon të hyjë në një fazë të re politike, të cilën e përmbledh me tri objektiva: “Nga rezistenca në transformim, nga mbijetesa në barazi dhe nga përfaqësimi në rezultate.”
Një prej prioriteteve të përmendura është forcimi i bashkëpunimit me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe koordinimi më i madh politik dhe diplomatik për çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës.
PVD kërkon gjithashtu intensifikimin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Luginës së Preshevës, duke përmendur edhe nismën HR 6411 në Kongresin amerikan si shembull të adresimit të pozitës së shqiptarëve përtej nivelit lokal.
Në mesazh kërkohet që zëri i shqiptarëve të Luginës të dëgjohet edhe në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.
“Nëse kërkohet respektimi i të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, atëherë duhet të kërkohet respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Jo si kundërvënie ndaj një komuniteti tjetër, por si parim barazie”, thuhet në deklaratë.
Me rastin e 36-vjetorit është shprehur mirënjohje për kryetarin e parë të PVD-së, Riza Halimi, themeluesit, ish-përfaqësuesit, aktivistët, votuesit dhe familjet e tyre, ndërsa gjeneratave të reja u është bërë thirrje të vazhdojnë angazhimin politik.
Mesazhi përfundon me përcaktimin e tri fazave të rrugëtimit politik të PVD-së: mbijetesa, barazia dhe zhvillimi.
“36 vite rezistencë na kanë sjellë deri këtu. Tani na duhet vizioni për 36 vitet e ardhshme. Rruga vazhdon. Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, thuhet në mesazhin e PVD-së me rastin e 36-vjetorit të themelimit.