Putin pranon armëpushimin 30-ditor me Ukrainën, por kërkon garanci: “Nuk lejojmë mobilizim të ri”
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se mbështet një armëpushim 30-ditor me Ukrainën, por theksoi se “ka çështje thelbësore që duhet të diskutohen” për ta bërë këtë një hap drejt paqes së qëndrueshme.
Gjatë një konference për media me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, Putin u shpreh se armëpushimi nuk duhet të shërbejë si një kohë për Ukrainën që të mobilizojë trupa dhe të marrë furnizime të reja me armë nga Perëndimi.
“Ne pajtohemi me armëpushimin, por ai duhet të garantojë që arsyet rrënjësore të kësaj krize të adresohen. Gjatë këtyre 30 ditëve, çfarë ndodh? A do ta përdorë Ukraina këtë periudhë për mobilizim të ri apo për furnizim me armë? Këto çështje duhet të qartësohen”, deklaroi Putin.
Ai gjithashtu përmendi avancimet ruse në vijën e frontit, duke thënë se “trupat tona po përparojnë praktikisht në çdo sektor të linjës së kontaktit dhe ekzistojnë të gjitha kushtet për të rrethuar njësi të mëdha të ushtrisë ukrainase”.
Presidenti bjellorus, Lukashenko, i cili vazhdimisht ka qenë mbështetës i Kremlinit, ritheksoi aleancën e tij me Putinin, duke thënë se “Evropa po përpiqet të na mashtrojë, por ne nuk do ta lejojmë këtë, sepse e dimë mirë se cilat janë interesat tona”.
Sipas Lukashenkos, nëse Rusia dhe Shtetet e Bashkuara arrijnë një marrëveshje, atëherë edhe Ukraina dhe Evropa duhet ta pranojnë atë pa kundërshtime.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa bisedimet për armëpushim duket se janë të kushtëzuara nga interesat strategjike të Moskës.
Raporton The Guardian, transmeton Koha, përcjell A1 Info.