Prindon Sadriu Zotëria i Parë i Kosovës ftohet në Shtëpinë e Bardhë për Samitin FFT
Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, është ftuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Koalicionit Botëror të nismës Fostering the Future Together (FFT), i cili do të mbahet më 24 dhe 25 mars në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin amerikan të Shtetit në Washington.

Samiti organizohet në kuadër të iniciativës së Zonjës së Parë amerikane, Melania Trump, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në epokën digjitale, si dhe promovimin e përdorimit të sigurt dhe inovativ të teknologjisë.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë koalicion pritet të hapë mundësi të reja për nxënësit dhe fëmijët në vend, duke u mundësuar qasje në projekte, programe dhe inovacione nga kompanitë më të mëdha amerikane të teknologjisë. Këto iniciativa përfshijnë platforma të avancuara digjitale, zhvillime në inteligjencën artificiale dhe mjete të reja edukative që synojnë të mbështesin zhvillimin, kreativitetin dhe sigurinë online të të rinjve.

Kosova i është bashkuar kësaj nisme me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, duke u bërë një nga shtetet e para në botë që merr pjesë në këtë koalicion global. Kjo pjesëmarrje konsiderohet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në një kohë të zhvillimeve të shpejta teknologjike.