Presidentja Osmani nderon Nënat e Srebrenicës me Medaljen Presidenciale të Meritave
Prishtinë – Në prag të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë sot Medaljen Presidenciale të Meritave për Nënat e Srebrenicës, duke nderuar guximin dhe qëndresën e tyre të palëkundur përballë dhimbjes së thellë që kanë përjetuar.

“Guximi i tyre përballë dhimbjes së paimagjinueshme, vendosmëria për ta shndërruar pikëllimin në shpresë dhe kujtimin në një kërkim të pandalur për drejtësi janë frymëzim për gjenerata të tëra”, ka deklaruar Presidentja Osmani gjatë ceremonisë.
Me këtë akt simbolik, Presidentja ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive dhe të respektimit të përjetshëm për viktimat e regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.

“Kujtim i përhershëm për të gjitha viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit”, ka shtuar ajo, duke e vënë theksin tek nevoja për drejtësi dhe mos-harrim.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemniteti dhe respekti të thellë, në prani të përfaqësuesve institucionalë, trupit diplomatik dhe përfaqësueseve të shoqatave të viktimave të gjenocidit në Bosnje dhe Hercegovinë.