Preshevë: Tribunë mbi kujtesën historike dhe angazhimin qytetar në kuadër të “Nëntor Luginë”
Në Amfiteatrin e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë u mbajt sot një tribunë e rëndësishme me temën “Nëntori dhe vetëdija kombëtare mes kujtesës dhe angazhimit qytetar”. Diskutimi u fokusua në rolin që kujtesa historike dhe pjesëmarrja aktive qytetare kanë në forcimin e identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Në panel morën pjesë publicisti Kim Mehmeti dhe sociologu Nexhmedin Ademi, të cilët sollën reflektime të thelluara mbi sfidat shoqërore, kulturore dhe politike me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, si dhe nevojën për një vetëdije të qëndrueshme kombëtare.
Ky organizim u zhvillua nga Shoqata Kulturore “Dituria” në Preshevë, në kuadër të programit kulturor “Nëntor Luginë”, me mbështetje të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe me përkrahjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Organizatorët theksuan se Nëntori mbetet muaj i kujtesës historike, por njëkohësisht edhe i angazhimit për identitetin, dinjitetin dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve në Luginë.