Preshevë: Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi me International Balkan University
Sot u zyrtarizua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Preshevës dhe International Balkan University, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe institucioneve akademike.

Në ceremoninë e nënshkrimit, përveç Zonjës së Parë të Preshevës, Ardita Sinani, e cila theksoi rëndësinë strategjike të këtij partneriteti për zhvillimin afatgjatë të komunës, mori pjesë edhe një delegacion institucional i Komunës së Preshevës. Delegacioni përbëhej nga zëvendëskryetari i Kuvendit Komunal, z. Armend Ali, si dhe zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa.

Memorandumi krijon një kornizë bashkëpunimi në fusha të rëndësishme si arsimi, kërkimi shkencor, zhvillimi komunitar, inovacioni dhe ngritja e kapaciteteve, me qëllim ndërlidhjen e dijes akademike me nevojat reale të komunitetit lokal.
Komuna e Preshevës mbetet e përkushtuar që ky bashkëpunim të konkretizohet përmes projekteve të përbashkëta dhe rezultateve të prekshme, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin arsimor, social dhe ekonomik të rajonit.
Ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme mes institucioneve lokale dhe atyre akademike, duke hapur mundësi të reja për progres dhe inovacion në Preshevë.