Preshevë – Konferencë për Media pa Media: Kryetarja Ardita Sinai raporton vetëm në Facebook
Preshevë, 1 gusht 2025 – Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinai, ka publikuar në profilin e saj zyrtar në Facebook një video që e quan “konferencë për media”. Por, siç mund të shihet lehtësisht nga përmbajtja dhe mospërfshirja e gazetarëve, mediat lokale nuk janë ftuar për ta ndjekur apo për ta mbuluar këtë paraqitje.
Mungesa e përfaqësuesve të mediave në një aktivitet që, sipas vetë titullit të saj, supozohet të jetë “konferencë për media”, ngjall shqetësime për mënyrën e komunikimit institucional të Komunës së Preshevës. Në fakt, pa praninë e gazetarëve, pa pyetje, dhe pa ballafaqim të drejtpërdrejtë, kjo paraqitje nuk mund të quhet konferencë – por më shumë i ngjan një monologu të njëanshëm të shpërndarë në rrjete sociale.
Në një kohë kur qytetarët e Preshevës presin transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje të opinionit publik, shmangia e mediave nga komunikimi institucional shihet si një hap prapa në raport me standardet demokratike.
Mbetet të shihet nëse kjo praktikë do të ndryshojë në të ardhmen, apo do të bëhet normë që institucionet të komunikojnë vetëm përmes statuseve në Facebook, pa praninë e atyre që i japin zë qytetarit – mediave lokale.
A1 info