Presheva në Hije të Zetë: Mungesa e Interesit dhe Dështimi në Ruajtjen e Investimeve
Pas luftës, Presheva u mbush me investime që, në teori, duhej të kishin sjellë një transformim të ndjeshëm në jetën dhe infrastrukturën e qytetit. Shkollat, parqet, stadiumet të gjitha ishin pjesë e një strategjie për përmirësimin e kushteve, por, çuditërisht, ato janë bërë më shumë simbol i dështimit sesa i suksesit. Ajo që është e pafalshme është jo vetëm mungesa e zhvillimit të qëndrueshëm, por edhe shkatërrimi i atyre investimeve, që tani po humbin çdo vlerë.
Në Preshevë, nuk ka ndëshkim për ata që shkatërrojnë këto pasuri. Dhe ky është një fyerje e hapur ndaj çdo ndjenje përgjegjësie qytetare. Ata që janë përgjegjës për këtë shkatërrim shpesh i shpëtojnë pa asnjë pasojë, duke u justifikuar me një arsyetim të pabazuar “Ani, leje se xhynah”. Duke pasur mëshirë te i pamëshirshmi. Kjo është një maskaradë. Ky qëndrim nuk është vetëm një shenjë e paaftësisë për të mbajtur llogari, por është një mesazh që inkurajon shkatërrimin dhe mosrespektimin ndaj asaj që është ndërtuar me mund dhe para. Në vend që të përballen me realitetin dhe të mbajnë përgjegjësi, politikanët lokalë janë të gatshëm të përhumbin gjithçka, vetëm për të ruajtur statusin dhe karrikën me pushtetin e tyre.
Të rinjtë e Preshevës, që janë të ftuar të kontribuojnë në ruajtjen e pasurive, janë të papërgjegjshëm dhe të paedukuar nga shtëpia për të vlerësuar ato investime që janë bërë. Dhe kjo është një humbje e madhe për të ardhmen e qytetit. Shkatërrimi i asaj që është ndërtuar deri tani është një dështim që do të pasohet me pasoja të thella për brezat që vijnë. Presheva po shkatërrohet për shkak të mosdijenisë dhe mungesës së ndërgjegjësimit. Në këtë kaos, politikanët, që janë të detyruar të kujdesen për qytetin, janë të zënë me të vetën dhe allash-vereshet e tyre, me interesa personale dhe qëllime të shkurtra, të fokusuar vetëm në sigurinë e pushtetit të tyre dhe jo në mirëqenien e qytetit.
Ky është një dështim i rëndë. Korrupsioni dhe egoizmi që mbizotërojnë në Preshevë kanë nxjerrë jashtë loje çdo mundësi zhvillimi. Çdo projekt është bërë një tjetër shëmbëlltyrë e humbjes, një tjetër kapitull i një tragjedia të papërfunduar. Politikanët lokalë, që duhet të jenë udhëheqës dhe nxitës të zhvillimit, janë thjesht aktorë të një loje që i shërben vetëm interesave të ngushta klanore dhe jo të qytetarëve të Preshevës.
Nga Kujtim Sadriu






