Presheva mbetet pa fonde nga Qeveria e Serbisë, Bujanoci përfiton mbështetje për projekte infrastrukturore
Preshevë – Qeveria e Serbisë ka ndarë 87 milionë dinarë për financimin e projekteve infrastrukturore në 14 komunat më të pazhvilluara të vendit, por Presheva nuk është përfshirë në listën e përfituesve. Ndërkohë, Komuna e Bujanocit ka siguruar mbështetje financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore.
Kontratat për financimin e programeve për zhvillimin e komunave jashtëzakonisht të pazhvilluara për vitin 2026 u ndanë të enjten nga ministri pa portofol përgjegjës për zhvillimin e këtyre komunave, Novica Tonçev.
Sipas njoftimit zyrtar, fondet do të përdoren për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit dhe infrastrukturës komunale. Përfituese të këtij programi janë komunat: Surdulica, Zhitoraxha, Tërgovishta, Krupanj, Petrovac na Mlavi, Rashka, Vllasotinca, Bujanoci, Varvarini, Mionica, Bela Pallanka, Dimitrovgradi, Priboji dhe Kuçeva.
Ministri Tonçev bëri të ditur se në konkurs kanë aplikuar 40 komuna, prej të cilave janë miratuar 14 projekte. Ai shtoi se për 10 komuna të tjera nuk ka pasur mjete të mjaftueshme në këtë fazë, por pritet që ato të mbështeten nëse Qeveria siguron fonde shtesë.
Në ceremoninë e ndarjes së kontratave mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, i cili deklaroi se këto mjete nuk janë vetëm shifra në letër, por një mbështetje konkrete për qytetarët, duke theksuar se zhvillimi i barabartë i komunave është një nga prioritetet e shtetit.
Megjithatë, edhe këtë vit Presheva mbeti pa mbështetje financiare nga ky program, pavarësisht se konsiderohet ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi. Në anën tjetër, Bujanoci arriti të sigurojë fonde për realizimin e projekteve infrastrukturore, duke u renditur mes 14 komunave përfituese.