Politikanët e kafeneve, qytetarët e torturuar: Presheva drejt shuarjes
Presheva pas 10 vitesh: Pa shqiptarë në institucione, dhe pa zë
Presheva po shkon drejt shuarjes.
Jo me luftë. Jo me armë. Por me një heshtje vrastare, që vjen nga spektri politik shqiptar ose i koordinuar me agjentura të huaja, ose është analfabet dhe i paaftë për të kuptuar seriozitetin e situatës.
Institucionet: Rrënimi fillon nga heshtja
Pas 10 vitesh, stacioni policor në Preshevë nuk do të ketë asnjë shqiptar. Sepse askush nga politika nuk ka punuar për të ruajtur përfaqësimin kombëtar në polici, doganë, gjyqësi apo administratë.
Spektri politik është marrë me pazare për pushtet, me fotografi në kafe, me ndarje komisionesh por jo me të drejtat reale të qytetarëve shqiptarë.
Frika si armë: Si u dekurajuan të rinjtë
Përmes disa “analistëve” në Kosovë që sillen si njohës të mirë të situatës në Preshevë e që kurrë nuk kanë qenë në Preshevë, bile-bile as që e dinë gjeografikisht ka i bie – në TV është mbjellë frikë e pamëshirshme dhe e qëllimshme, duke i bërë të rinjtë të ndihen tradhtarë nëse aplikojnë në polici apo institucione.
E që krijojnë një barrierë përmes misionit psikologjik propagandistik me direktiva të caktuara.
Por ajo që nuk thuhet është kjo:
Pa shqiptarë në sistem, shqiptarët përjashtohen përjetësisht nga vendimmarrja.
Rrugët ndryshuan emra, politika rrinte kafeve
Në vitin 2018, shumë rrugëve në Preshevë iu ndërruan emrat – nga Sveta Tomiq në Prva Nova, nga Prishtinë në Druga Nova, e shumë të tjera me qëllim të caktuar dhe, me hulumtimin që kam bërë, pa asnjë bazë ligjore.
Asnjë padi. Asnjë protestë. Asnjë reagim institucional. Vetëm luftë për poste, jo për të drejta.
Tmerri më i madh: 36 këshilltarë në kuvend, e në nën-kuvend ku gjendet kadastari, u madhëroheshin – asnjë zë. Heshtje, kafe dhe lugët e makiatos në gojë, ndërsa qytetarët silleshin vërdallë nga tortura.
Korrupsioni lokal dhe pasivizimi kombëtar
Qytetarët paguajnë 100 euro për një numër shtëpie që e kanë të regjistruar. Në disa vende të ofiqarisë, pa dhënë “reketin”, nuk mund të marrësh certifikatë – jo nga serbët, por nga shqiptarët.
I torturojnë për një copë dokument, ndërkohë që komuna hesht.
Shtiren se janë duke punuar, por nuk po dihet për kë?
Hesht, jo sepse nuk mundet të zgjidhë problemin për 30 ditë, por sepse heshtja është pjesë e misionit.
Ata që janë në institucione sillen si zhvatës, dhe ata që janë në opozitë sillen si spektatorë.
Asnjëri nuk punon për interesin e qytetarëve.
Çfarë na pret pas 5–10 vitesh?
Nëse kjo situatë vazhdon dhe po vazhdon – Presheva pas 5–10 vitesh do të jetë kështu:
• Një pjesë e qytetarëve do të jenë të pasivizuar.
• Një pjesë tjetër do të kenë ikur nga frika, terrori psikologjik dhe fizik, dhe pasiguria.
• Do të nisë faza e dytë e torturës administrative: ndryshim adresash, përjashtim nga sistemet, fshirje nga regjistrat.
Tani ju kërkojnë numrat, pas 5 viteve do t’ju kërkojnë emrat.
Prapë “patriotët” do t’ju torturojnë, dhe shqiptarët do t’ju zhvatin me qindra euro.
• Dhe kur të mos ketë më asnjë polic shqiptar, atëherë do të kuptohet vlera e tyre – por do të jetë vonë.
Hipokrizia e liderëve “patriotë”
Ragmi Mustafi i Bujanocit flet me retorikë patriotike, por familjen e ka me miliona në Prishtinë. Edhe pronën e marrë nga prona publike në Bujanoc po flitet që po e shet për qindra mijëra euro, se është në zemër të Bujanocit.
Ragmi Mustafa i Preshevës, i njohur për kontrabandimin e lapidarit me Beogradin, përdor fjalë nacionaliste, por fëmijët dhe kapitalin marramendës i ka në Kosovë. Edhe ky do të ikë në Kosovë pas mbarimit të “misionit”.
Të gjithë ata që flasin për kombin, nuk jetojnë me kombin. E kanë lënë Preshevën në mëshirë të fatit, e vetë kanë bërë vila marramendëse në Kosovë.
Brenda 8 vitesh, nëse heshtim:
• Mbi 8.000 shqiptarë do të jenë të pasivizuar në Preshevë.
• Nuk do të ketë më asnjë polic apo doganier shqiptar në Preshevë.
• Institucionet do të jenë plotësisht të kontrolluara nga strukturat destruktive serbe.
• Shqiptarët do të quhen “banorë të huaj” në vendin e tyre.
Heshtja është bashkëpunim. Heshtja është tradhti.
Po. E di që e keni mision.
Si pasojë e kontrollit tuaj që sot qeverisni, pas pak vitesh nuk do të ketë më kush të veprojë.
Ky nuk është frikësim, është realitet i përditshëm në terren, që shumëkush po bën sikur nuk e sheh.
Ky shkrim nuk ka për qëllim të nënvlerësojë qytetarët serbë apo romë lokalë.
Përkundrazi, edhe ata janë viktima të papunësisë, shpërfilljes dhe të një sistemi të kalbur, të ndërtuar nga strukturat e shtetit të Serbisë me direktiva ruse për destabilizim, jo vetëm të jugut të Serbisë, por të gjithë Evropës Juglindore.
Ky sistem sjell në Preshevë të ashtuquajturit “ku-ma” dhe “zeta”, nga Nishi e Beogradi – të punësuar si militantë dhe zhvatës që nuk përfaqësojnë as vetë komunitetin serb lokal.
Ky sistem nuk punëson serbët nga Sllavujevc, Presheva, Svinishta, por “ku-ma” dhe mercenarë destruktivë.
Ky tekst është një thirrje kundër strukturave destruktive të shtetit të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë në qeverisje, të cilat veprojnë me agjenda politike dhe etnike – për të përjashtuar shqiptarët nga shqiptarët, dhe për të sunduar rajonin përmes frikës, varfërisë, pasivizimit dhe terrorit psiko-fizik administrativ.
Ky shkrim është një thirrje.
Jo për retorikë. Por për veprim konkret.
Para se të jetë vonë.
Nga Kujtim Sadriu