Policia ndalon 23-vjeçarin që tentoi grabitjen e një këmbimoreje në Preshevë
Policia në Preshevë, me autorizim të Prokurorisë Themelore Publike në Vranjë, ka privuar nga liria një 23-vjeçar nga kjo komunë, i cili dyshohet për tentativë grabitjeje.
Sipas informacioneve zyrtare, i arrestuari është A. A. (viti i lindjes 2003), për të cilin ekzistojnë dyshime se më 10 janar ka tentuar të kryejë një grabitje në një këmbimore në Preshevë. Dyshohet se ai fillimisht ka ndjekur një punonjës rreth 30 vjeç, i cili mbante maskë, dhe më pas e ka ndaluar në rrugë, duke e kërcënuar me një send që ngjante me armë zjarri, duke i kërkuar çelësat e këmbimores dhe para.
Sipas policisë, tentativa e grabitjes nuk është realizuar. I dyshuari thuhet se ka hedhur një objekt drejt punonjësit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Falë reagimit të shpejtë, policia ka arritur ta identifikojë dhe ta arrestojë të dyshuarin. Gjatë kontrollit trupor, tek ai është gjetur një fishek i vërtetë, ndërsa është sekuestruar edhe një maskë, për të cilën dyshohet se është përdorur gjatë veprës penale.
Përveç dyshimit për tentativë grabitjeje, ndaj A. A. do të paraqitet kallëzim penal edhe për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paautorizuar të armëve dhe mjeteve shpërthyese. Me vendim të prokurorit publik kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe pritet të dërgohet para prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.