PËRUROHET LIBRI ME TREGIME ” DJALOSHI MAGJISTAR” I AUTORIT, RIOLT AHMETIT
Në ambientet e shkollës fillore “Selami Hallaçi” në Rahovicë, u përurua libri me tregime me titull “Djaloshi magjistar”, i nxënësi, Riolt Ahmeti.
Në këtë përurim morën pjesë shokët dhe shoqet e klasës së Rioltit dhe nxënës të tjerë të kësaj shkolle, personeli arsimor, drejtori i shkollës dhe familjarë të autorit.
Në fillim të këtij aktiviteti, fjalën e mori, drejtori i shkollës, z. Amir Sulejmani, i cili e përgëzoi autorin e librit për këtë arritje dhe foli në përgjithësi për nxënësit e kësaj shkolle dhe për të arriturat e tyre.
Për librin, foli redaktori, Bilall Maliqi, i cili përgëzoi Rioltin për guximin e marrë për t’u marrë me shkrime dhe e inkurajoi atë që të vazhdojë edhe më tutje të merret me shkrime. Mandej përshëndeti edhe punën e mësuesit të tij, dhe të mësuesve të tjerë që, përpos procesit edukativ-arsimor, po i nxisin fëmijët të merren edhe me shkrime.
Recensentja e librit, poetja Marigona Fejzullahu-Salihi, po ashtu foli në pika të shkurtra për librin dhe e përgëzoi autorin për botimin e librit në fjalë.
Edhe mësuesi i Rioltit, z. Fitim Mehmedi, në këtë rast në rolin e lektorit të librit, foli për Rioltin si nxënës, për arritjet e tij në mësime dhe për librin.
Në emër të familjes, për t’i përshëndetur të pranishmit doli nëna e autorit, e cila, po ashtu i falënderoi të pranishmit në emër të familjes Ahmeti.
Pati edhe deklamime të ca tregimeve nga nxënësit e klasës së Rioltit.
Në fund, autori i librit, Riolt Ahmeti, i falënderoi të pranishmit që morën pjesë në përurimin e librit të tij të parë dhe siguroi që edhe në të ardhmen do të merret me shkrime, por pa i lënë anash mësimet e detyrueshme shkollore.
Riolti në fund u ndau nga një Mirënjohje atyre që e ndihmuan botimin e librit:Marketit “Centrum” dhe marketit “Blerimi”.
A1info