Për eAdministratën:45 qytetarë shafqën interesim për shërbimet digjitale përmes trajnimit nga QHM dhe A1 Info
Preshevë, 16 maj 2025 – Qendra për Hulumtim dhe Monitorim (QHM), në bashkëpunim me portalin informativ A1 Info, ka përmbyllur një aktivitet pesëditor me fokus informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth përdorimit të platformës shtetërore eAdministrata (eUprava).
Gjatë këtij angazhimi, qytetarët u udhëzuan praktikisht për mënyrën e përdorimit të shërbimeve digjitale që ofron kjo platformë, me synim lehtësimin e proceseve burokratike dhe rritjen e qasjes në shërbime publike pa pasur nevojë për prezencë fizike.
Në mesin e shërbimeve të trajtuara përmes informimit ishin:
Regjistrimi në platformën eAdministrata
Instalimi i aplikacionit ConsentID dhe marrja e parametrave për identifikim
Aktivizimi i nënshkrimit elektronik
Caktimi i termineve për pasaportë
Nxjerrja e dokumenteve si shtetësia, certifikata e lindjes dhe certifikata e shtetësisë
Dhënia e pëlqimit elektronik të pronarit të shtëpisë, e cila tani është kusht i rëndësishëm për qytetarë e Preshevës që jetojnë në fshatra.

Sipas organizatorëve, qytetarët që morën pjesë në këto sesione u shprehën shumë të kënaqur, duke e vlerësuar këtë nismë me pikë maksimale 10 pikë. Shumë prej tyre u shprehën të gatshëm ta përcjellin këtë njohuri tek familjarët dhe miqtë e tyre, duke kontribuar në përhapjen e vetëdijes për shfrytëzimin e shërbimeve digjitale.
Ky aktivitet u realizua me vetë iniciativë nga QHM dhe portali A1 Info, pa ndihmë apo financim shtetëror, si një kontribut konkret për qytetarët dhe zhvillimin digjital të shoqërisë.