Pensionet në Serbi rriten me 12.2% nga 1 dhjetori
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Mali, ka bërë të ditur se nga 1 dhjetori 2025 pensionet do të rriten me 12.2 përqind, në kuadër të modelit të indeksimit të qëndrueshëm financiar.
Mali theksoi se pas kësaj rritjeje, pensioni mesatar në Serbi gjatë këtij viti do të arrijë rreth 437 euro, ndërsa në vitin 2026 pritet të ngjitet në 488 euro. Ai kujtoi gjithashtu se në vitin 2012 pensioni mesatar ishte vetëm 204 euro, duke nënvizuar se “rritjet e vazhdueshme janë rezultat i stabilitetit ekonomik dhe reformave fiskale”.
Përveç pensioneve, qeveria parashikon rritje të të ardhurave edhe për kategori të tjera. Pagat në sektorin publik do të rriten me 5.1 përqind duke filluar nga 1 janari 2026, ndërsa paga minimale do të rritet me 10.1 përqind dhe do të tejkalojë nivelin prej 550 eurosh.
Mali tha se këto masa synojnë të përmirësojnë standardin e jetesës dhe fuqinë blerëse të qytetarëve, duke theksuar se ekonomia serbe “po e vazhdon trendin e rritjes së qëndrueshme, pavarësisht sfidave globale”.