Pas raportimit të A1 Info për sulmin në Surdulicë, reagon kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar
Pas raportimit të A1 Info për sulmin dhe presionin publik ndaj një familjeje shqiptare në Surdulicë, çështje e cila fillimisht u ngrit nga gazetarë të portalit Vreme.com lidhur me linçimin e familjes, dhe pas shqetësimit të ngritur për heshtjen e deputetit Shaip Kamberi, ka ardhur reagimi i parë nga kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Në një reagim në Facebook, Rexhepi ka deklaruar se ngjarjet e fundit në Surdulicë, ku një tragjedi e rëndë po përdoret si justifikim për të nxitur urrejtje dhe presion kolektiv ndaj një familjeje shqiptare, nuk mund të shihen të shkëputura nga klima politike e ndërtuar prej vitesh.
“Kur diskursi publik normalizon etiketimin, përjashtimin dhe gjuhën fyese ndaj shqiptarëve, atëherë nuk është çudi që linçimi virtual dhe presioni i rrugës të bëhen realitet,” ka shkruar Rexhepi.
Sipas tij, thirrjet për dëbim, publikimi i të dhënave personale dhe targetimi mbi bazë etnike janë pasojë e drejtpërdrejtë e një narrative politike që ka ushqyer ndasi, ka relativizuar diskriminimin dhe ka dërguar mesazhin se shqiptarët janë problem, e jo qytetarë me të drejta të barabarta.
“Kur institucionet heshtin përballë gjuhës së urrejtjes, ajo shndërrohet në veprim. Kur përgjegjësia individuale përdoret për të fajësuar një komunitet të tërë, kjo është politikë e rrezikshme,” thuhet në reagim.
Këshilli Kombëtar Shqiptar e ka dënuar ashpër rastin dhe çdo përpjekje për ta shndërruar një ngjarje tragjike në mjet për nxitje të urrejtjes etnike, duke theksuar se asnjë qytetar nuk mund të mbahet përgjegjës kolektivisht për shkak të përkatësisë kombëtare.
Rexhepi ka shprehur gjithashtu shqetësim për mungesën e reagimit nga institucionet shtetërore, duke përmendur ministrin për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Demo Berisha, dhe duke e cilësuar heshtjen si të papranueshme.
Vlen të theksohet se kjo ngjarje është ngritur dhe trajtuar fillimisht nga mediat serbe.