Parlamenti Evropian miraton raportin për Maqedoninë, por heq referencat për identitetin dhe gjuhën maqedonase
Me 461 vota pro, 121 kundër dhe 107 abstenime, eurodeputetët miratuan raportin, ndërsa amendamentet bullgare fshijnë termat për identitetin maqedonas
Bruksel – Parlamenti Evropian ka miratuar të martën raportin për Maqedoninë e Veriut, por me këtë rast janë fshirë nga dokumenti zyrtar referencat për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Amendamentet përkatëse, të propozuara nga eurodeputetë bullgarë, u mbështetën nga tre grupet më të mëdha politike në PE.
Debati për raportin u zhvillua një natë më parë. Raportuesi për Maqedoninë, eurodeputeti Thomas Waitz, kërkoi mbështetje për vendin dhe vlerësoi angazhimin e tij në politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
“A është Maqedonia një partner i besueshëm? Po. Ajo merr pjesë 100% në politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë. Ky është një shtet me potencial të madh, dhe ky raport është një hap përpara drejt anëtarësimit në BE,” – u shpreh Waitz.
Eurodeputetja sllovene me origjinë maqedonase, Irena Joveva, reagoi ashpër ndaj ndryshimeve, duke mbrojtur identitetin e vendit të saj në gjuhën maqedonase.
“Gjuha maqedonase është autentike. Përpjekjet tuaja janë një trillim modern. Një identitet që ka mbijetuar shekuj nuk do të zhduket për shkak të një votimi apo lobimi tuaj. Populli maqedonas nuk ka nevojë për lejen tuaj që të ekzistojë,” – tha Joveva, duke i drejtuar fjalët saj eurodeputetëve bullgarë.
Në anën tjetër, eurodeputeti bullgar Ivajllo Vallçev akuzoi udhëheqësit politikë të Maqedonisë për mashtrim ndaj qytetarëve.
“Mickoski ju gënjen. Përfshirja e bullgarëve në të gjitha pjesët përkatëse të Kushtetutës dhe respektimi i Marrëveshjes së vitit 2017 nuk dëmton identitetin tuaj. Por shtyrja e reformave do ta dëmtojë pikërisht atë,” – deklaroi Vallçev.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, komentoi votimin duke theksuar se BE-ja po përballet me një problem serioz në funksionimin demokratik.
“Ky është një sinjal se demokracia brenda Bashkimit Evropian po sfidohet seriozisht,” – tha ajo.
A1 info