Pajaziti dhe Daçiq vizitojnë vatrat e zjarrit në Breznicë, pritet angazhimi i helikopterëve
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka shoqëruar sot ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë vizitës në Breznicë, ku nga afër janë njohur me situatën në vatrat e zjarrit dhe përpjekjet e ekipeve për lokalizimin dhe shuarjen e tyre.
Sipas Pajazitit, ekipet e zjarrfikësve në terren i kanë informuar për gjendjen aktuale, vështirësitë me të cilat po përballen dhe masat që po ndërmerren për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Kryetari i Bujanocit bëri të ditur se nga ministri Daçiq ka marrë premtimin për angazhimin e helikopterëve, të cilët pritet të ndihmojnë në përballimin e situatës.
Për shkak të afërsisë së zonës së prekur nga zjarret me vijën kufitare me Kosovën, sipas Pajazitit, ministri Daçiq ka njoftuar se është siguruar edhe leja e nevojshme nga Komanda e KFOR-it për angazhimin e helikopterëve.
Pas vizitës në Breznicë, Pajaziti dhe Daçiq kanë vizituar edhe Stacionin Policor në Bujanoc, ku janë informuar për kushtet e punës dhe nevojat e pjesëtarëve të policisë.
Gjatë takimit me ministrin e Punëve të Brendshme, Pajaziti tha se ka ngritur edhe çështjen e numrit të pamjaftueshëm të shqiptarëve të punësuar në polici dhe në shërbimin e zjarrfikësve.
Ai ka ritheksuar qëndrimin se përfaqësimi etnik në këto institucione duhet të jetë në përputhje me strukturën e popullsisë së komunës, bazuar në regjistrimin e fundit.
Nga ana tjetër, sipas Pajazitit, Daçiq ka theksuar nevojën që radhët e policisë të plotësohen edhe me pjesëtarë të komunitetit lokal, duke u bërë thirrje kandidatëve të interesuar që të aplikojnë në konkurset përkatëse.
Kryetari i Bujanocit ka bërë të ditur se Komuna do të ofrojë mbështetje dhe ndihmë logjistike për qytetarët që dëshirojnë të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e policisë.
Pajaziti theksoi se prania në terren dhe koordinimi me institucionet qendrore janë të domosdoshme në situata të tilla, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës së tyre.
“Në momente të tilla nuk mjaftojnë fjalët. Nevojitet angazhim, koordinim dhe veprim konkret në mbrojtje të qytetarëve dhe pronës së tyre”, ka deklaruar Pajaziti.