Nxënësit e “Prenk Jakovës” pengohen nga Serbia, por japin koncert të improvizuar në kufi
– Radio Kosova raporton se nxënësit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” nga Prishtina, të cilët ndodheshin në një turne koncertal në Kroaci dhe Slloveni, janë përballur me një pengesë të papritur gjatë rrugës së kthimit për në Kosovë.
Pasi udhëtuan drejt Kroacisë përmes Malit të Zi, grupi planifikoi që kthimin ta bënte përmes territorit të Serbisë. Megjithatë, autoritetet kufitare serbe nuk u lejuan kalimin, me arsyetimin se nuk posedonin certifikata të nevojshme, pa dhënë më shumë sqarime rreth natyrës së dokumentacionit të kërkuar.
Pavarësisht këtij refuzimi, të rinjtë nuk e lanë moralin të bjerë. Ata organizuan një koncert të improvizuar në zonën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, duke interpretuar së bashku një repertor të zgjedhur në mënyrë spontane.
Performanca e tyre u prit me duartrokitje dhe entuziazëm nga udhëtarët e shumtë që ndodheshin në pikën kufitare, duke e shndërruar një moment zhgënjimi në një akt të fuqishëm artistik dhe frymëzues.
Ky gjest artistik përçon mesazhin se muzika nuk njeh kufij dhe se forca e kulturës mund të triumfojë edhe në situata të vështira.
Burimi: Radio Kosova