Një gjest fisnik në mbështetje të nxënësve – Milazim Sadiku dhuron piano për shkollën në Zhunicë
Preshevë – Drejtoria e Shkollës Fillore „Prof. Ibrahim Kelmendi“ në Preshevë i ka ndarë Mirënjohje z. Milazim Sadiku nga Zhunica, në shenjë falënderimi dhe respekti për kontributin e tij të çmuar në pasurimin e jetës shkollore dhe kulturore të nxënësve.

Me vetëiniciativë, zemërgjerësi dhe përkushtim, Sadiku ka dhuruar dhe transportuar një piano për nxënësit e paraleles së ndarë të kësaj shkolle në Zhunicë.
Ky gjest është vlerësuar lart nga drejtoria e shkollës, pasi pianoja nuk përfaqëson vetëm një instrument muzikor, por edhe një mundësi të re për nxënësit që të afrohen me muzikën, të zhvillojnë kreativitetin dhe të kultivojnë dashurinë për artin.

Nga shkolla theksojnë se mbështetja e njerëzve të komunitetit ka rëndësi të veçantë për krijimin e kushteve sa më të mira për edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Sipas tyre, çdo kontribut i tillë është një investim i drejtpërdrejtë në arsim dhe në të ardhmen e brezave të rinj.
Mirënjohja e ndarë për Milazim Sadikun është një shprehje simbolike e respektit dhe falënderimit për një veprim që dëshmon përgjegjësi, solidaritet dhe dashamirësi ndaj shkollës dhe nxënësve.
Një piano e dhuruar sot mund të jetë frymëzimi që nesër një fëmijë ta zbulojë talentin dhe dashurinë e tij për muzikën.
Drejtoria e Shkollës Fillore „Prof. Ibrahim Kelmendi“ falënderon publikisht z. Milazim Sadiku për këtë gjest të sinqertë dhe fisnik.