Nga “Çka po bëhet me ne?” te “Çka po bëjmë ne?” – shqiptarët e Luginës drejt Parlamentit të Serbisë

Publikuar 4 javë më parë

Në Serbi po zhvillohet një tjetër proces zgjedhor parlamentar, në një atmosferë të shoqëruar nga ndarje të forta politike dhe shoqërore. Në njërën anë janë studentët dhe kërkesat e tyre për ndryshim, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë strukturat dhe votuesit që vazhdojnë të mbështesin pushtetin e Aleksandar Vučićit. Në këtë mes, për shqiptarët e jugut të Serbisë ekziston një çështje që duhet parë përtej këtyre ndarjeve: nevoja për përfaqësim.

Fakti që shqiptarët e jugut të Serbisë synojnë të jenë të përfaqësuar në Parlament është në vetvete një zhvillim që meriton vëmendje. Sepse përfaqësimi nuk duhet parë vetëm si një karrige më shumë në një sallë parlamentare. Ai është mundësia që problemet e një komuniteti të mos mbeten vetëm tema diskutimesh lokale, postimesh në rrjete sociale apo ankesash të përsëritura ndër vite, por të marrin një adresë të drejtpërdrejtë në institucionin ku miratohen ligjet dhe merren vendimet.

Problemet e shqiptarëve në jug të Serbisë janë të njohura. Ato lidhen me zhvillimin ekonomik, arsimin, përdorimin e gjuhës, përfaqësimin institucional, infrastrukturën dhe mundësitë që të rinjtë të ndërtojnë një të ardhme në vendlindjen e tyre. Por njohja e problemeve nuk mjafton. Në një moment duhet të bëhet pyetja: ku dhe si mund të kërkohen zgjidhjet? Prandaj, prania në Parlament duhet të shihet si një mundësi për t’i çuar këto çështje aty ku mund të diskutohen dhe të kërkohet përgjegjësi institucionale. Mund të mos zgjidhet gjithçka brenda një mandati dhe, sigurisht, një deputet nuk mund të ndryshojë i vetëm realitetin e një komuniteti. Por të kesh më shumë se një zë brenda institucioneve është ndryshe nga të presësh gjithmonë që dikush tjetër të flasë për ty.

Ndoshta pikërisht këtu duhet të ndryshojë edhe qasja jonë lokale. Skepticizmi është i natyrshëm dhe kritika është e nevojshme. Por kritika humbet vlerën kur gjithçka matet vetëm përmes interesave personale, rivaliteteve të vogla apo kauzave që mbarojnë te kufijtë e një province, një partie apo një grupi.

Duhet të jemi në gjendje të shohim pak më larg.

Pyetja nuk duhet të jetë vetëm se kush përfiton politikisht nga një përfaqësim i tillë, por çfarë mund të fitojë komuniteti nëse ky përfaqësim përdoret për të ngritur çështje konkrete. A mund të flitet më fuqishëm për shkollat? Për rrugët? Për vendet e punës? Për të rinjtë që largohen? Për përdorimin e gjuhës shqipe? Për përfaqësimin në institucionet publike? Për investimet dhe zhvillimin e këtyre komunave?

Këto janë pyetje që vlejnë më shumë se çdo debat personal. Në fund të fundit, një komunitet nuk mund të ndërtohet vetëm mbi skepticizëm. As vetëm mbi pritshmëri. Dhe sigurisht, jo vetëm mbi interesa individuale. Nevojitet edhe gatishmëria për të marrë përgjegjësi dhe për t’i provuar institucionet nga brenda.

Ndoshta nuk duhet të presim që politika të jetë perfekte përpara se të kërkojmë përfaqësim. Duhet të kërkojmë që përfaqësimi të jetë i dobishëm, i matshëm dhe në shërbim të qytetarëve.

Sepse, nëse problemet tona kanë mbetur për vite jashtë dyerve të institucioneve, ndoshta ka ardhur koha që dikush t’i çojë brenda atyre dyerve, jo për të fituar një betejë personale, por për të provuar nëse një zë i drejtpërdrejtë mund të sjellë një ndryshim konkret për vendin dhe njerëzit që përfaqëson.

Altin Boriçi – Sociolog