NGA BUNDESTAGU : USHTARËVE GJERMANË U VAZHDOHET MANDATI EDHE PËR NJË VIT
Në një debat prej gjysmë ore, deputetë gjermanë nga parti të ndryshme sollën argumente pro dhe kundër zgjatjes së mandatit të Bundeswehr-it në Kosovë.
Gjermania nuk largohet nga Kosova – të paktën jo këtë vit. Të enjten, më 26 qershor, Bundestagu në Berlin vendosi që misioni i Bundeswehr-it si pjesë e forcës ndërkombëtare të KFOR-it do të vazhdojë edhe për 12 muaj të tjerë. Me 391 vota pro, 189 kundër dhe vetëm dy abstenime, u miratua zgjatja e mandatit, njofton Portali, KFVA, përcjall A1info..
Sipas këtij portali, Stefan Keuter, përfaqësuesi i së djathtë së skajme AfD, partia më e madhe opozitare në Bundestag, në parim hodhi poshtë të gjithë logjikën e misionit në Kosovë. „Ky nuk është konflikti ynë. Ky mision nuk ka sjellë asgjë konkrete (..) Me ato para mund të ushqenim fëmijë të uritur në Jemen ose Sudan.“
Një tjetër zë kritik erdhi nga E Majta, ku deputetja Gökay Akbulut e quajti misionin e KFOR-it një „zgjidhje të ngrirë ushtarake pa perspektivë“. „Kosova është ende një nga vendet më të varfra në Evropë. Nuk kemi nevojë për më shumë trupa, por për shkolla, spitale dhe vende pune.“
Nga qendra e spektrit politik, SPD dhe Të Gjelbrit mbrojtën vendimin për zgjatjen e mandatit:
„Ushtarët tanë ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike“, tha ministrja Nancy Faeser (SPD), ndërsa Niklas Wagner (Të Gjelbrit) e quajti KFOR-in „spirancë stabiliteti“, dhe paralajmëroi: „Nëse SHBA-ja tërhiqet, Evropa duhet të jetë e gatshme të marrë përgjegjësi – ndryshe vakuumin do ta mbushin aktorë autoritarë.“
Çfarë roli kanë ushtarët gjermanë në kuadër të KFOR-it
Deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të angazhohen sërish në Kosovë. Detyra e tyre? Të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë, në rendin publik dhe në përpjekjet për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, demokratik dhe multietnik. Gjermania shpreh qartë edhe mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë moderne dhe të kontrolluar në mënyrë demokratike – si përgatitje për integrimin në NATO dhe BE.
Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Gjermania ishte një nga kontribueset më të mëdha në misionin KFOR, me deri në 6 000 ushtarë të dislokuar në Kosovë. Prania u ruajt në nivele të larta deri në vitin 2004, kur pas trazirave ndëretnike u përforcua sërish me 600 trupa shtesë.
Nga viti 2011 nisi një ulje graduale, duke zbritur në më pak se 1 000 ushtarë dhe duke e mbyllur bazën ushtarake në Prizren më 2018.
Në fund të vitit 2022, Gjermania kishte vetëm rreth 80 ushtarë në terren. Por me rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe largimin e kontingjentit austriak, Berlini reagoi: në prill 2024 u dërgua një kompani shtesë dhe sot Bundestagu ka mandatuar deri në 400 trupa – një rikthim simbolik i vëmendjes ndaj sigurisë në rajon.
Misioni ushtarak në Kosovë i kushton Gjermanisë 38.9 milionë euro.