Nesër më datë 10.02.2026 mbahet seanca e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Preshevës për vitin 2026
Kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Agim Sabedini, ka konvokuar seancën e parë të rregullt të Kuvendit Komunal, e cila do të mbahet të martën, më 10 shkurt 2026, me fillim nga ora 10:00, në sallën e madhe të Kuvendit Komunal në Preshevë.
Në rendin e ditës janë paraparë gjithsej 19 pika. Këshilltarët do të shqyrtojnë dhe miratojnë ekstraktin e procesverbalit nga seanca e VII-të e Kuvendit, si dhe raportet e punës dhe raportet financiare për vitin 2025 të disa institucioneve publike komunale.
Po ashtu, në fokus të seancës do të jenë programet e punës dhe planet financiare për vitin 2026 të institucioneve komunale, përfshirë Qendrën Sportive “Presheva”, Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica”, Bibliotekën “Mehmet Jusufi”, Qendrën për Punë Sociale, Ndërmarrjen Publike “Moravica”, Entin Parashkollor “8 Marsi”, si dhe Fondin për Qëllime Humanitare.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe emërimi i këshillit të shkollës fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë, si dhe shqyrtimi i propozim-vendimit që ka të bëjë me bashkësitë lokale në territorin e komunës së Preshevës.
Seanca do të përmbyllet me pikën e pyetjeve të këshilltarëve.