Ministri Demo Berisha: Shqiptarët në jug të Serbisë kanë të drejtë të ruajnë identitetin, gjuhën dhe kulturën
Bujanoc – Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, deklaroi se shqiptarët dhe komunitetet e tjera pakicë në jug të Serbisë kanë të drejtë të ruajnë dhe kultivojnë identitetin, gjuhën dhe kulturën e tyre, duke qenë njëkohësisht pjesëmarrës të barabartë në jetën shoqërore.
Berisha i bëri këto deklarata gjatë tryezës me temën “Dialogu ndërkulturor dhe ruajtja e identitetit të pakicave kombëtare në jug të Serbisë: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, e cila u mbajt sot në Bujanoc.
Sipas tij, dialogu ndërkulturor ka rëndësi të veçantë për integrimin e pakicave kombëtare në shoqëri, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e identitetit të tyre kulturor, gjuhësor dhe kombëtar.
Në tryezën e organizuar nga Shoqata e Gazetarëve “Etika” nga Bujanoci, Berisha theksoi se dallimet duhet të shërbejnë si bazë për afrimin dhe mirëkuptimin mes komuniteteve dhe jo si shkak për ndarje.
“Pasuria e traditës, gjuhëve dhe trashëgimisë kulturore në jug të Serbisë duhet të shihet si një potencial zhvillimor i shtetit tonë dhe kurrsesi si shkak për ndarje në shoqëri. Qëllimi ynë duhet të jetë një shoqëri në të cilën secili ka të drejtë të ruajë dhe kultivojë identitetin, gjuhën dhe kulturën e tij, por njëkohësisht të jetë pjesëmarrës i barabartë në të gjitha rrjedhat shoqërore”, deklaroi Berisha, sipas njoftimit të ministrisë.
Ministri vlerësoi se pikërisht kjo përbën thelbin e integrimit dhe të dialogut ndërkulturor.
Ai rikujtoi se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, përmes konkurseve publike dhe mjeteve të Fondit Buxhetor për Pakicat Kombëtare, mbështet programe që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit të pakicave kombëtare.
“Ruajtja e identitetit, barazia dhe integrimi nuk janë qëllime të kundërta, por themele të një shoqërie ku dallimet përbëjnë forcë. Prandaj, ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha nismat që kontribuojnë në dialog, besim dhe barazi të të gjithë qytetarëve”, porositi Berisha.
Tryeza u mbajt në ambientet e Qendrës Kulturore “Vuk Karaxhiq” në Bujanoc. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Nenad Mitroviq.