Mesiq nderohet në Kosovë: Njeriu që na dha zë kur askush nuk fliste
Prishtinë, 5 qershor 2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiq, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua rëndësia e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Kroacisë në të gjitha fushat, me theks të veçantë në atë të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Gjendja në Ballkan është shumë më e mirë se para tri dekadave, por ende ka probleme të vjetra të asaj kohe”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e ish-presidentit Mesiq në përkrahje të popullit të Kosovës. Ai ka kujtuar që Mesiq, qysh në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, kishte dalë publikisht në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
“Më vonë, nga pozita e Presidentit të Kroacisë, ai dha mbështetje të palëkundur për përpjekjen tonë për liri dhe pavarësi,” tha Kurti.
Gjatë këtij takimi të përzemërt, u evokuan momente historike që lidhin dy popujt dhe u rikonfirmua vullneti për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.
Si shenjë e vlerësimit për angazhimin e tij historik në mbështetje të kauzës së Kosovës, Stjepan Mesiq është nderuar së fundmi me titullin “Qytetar Nderi i Gjilanit”.
📌 Burimi: Koha.net