Shaip Kamberi: Materiale arkivore nga Lugina e Preshevës dorëzohen në Institutin për Krime Lufte në Prishtinë
Prishtinë – Në cilësinë e ish-kryetarit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, sot janë dorëzuar materiale arkivore me vlerë të jashtëzakonshme dokumentare në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Materialet përfshijnë fotografi, raporte, dëshmi dhe dokumente autentike që dëshmojnë diskriminimin etnik, maltretimet dhe vrasjet e civilëve shqiptarë në Luginën e Preshevës – para, gjatë dhe pas luftës.
“Këto dokumente janë rezultat i punës sime në Këshillin për të Drejtat e Njeriut dhe nga sot do të jenë pjesë e fondit të Institutit për Krime Lufte në Kosovë,” theksoi dorëzuesi, duke vlerësuar rolin e institucionit në dokumentimin dhe ruajtjen e së vërtetës historike.
Një falënderim i veçantë iu drejtua znj. Kimete Haxholli për bashkëpunimin profesional në këtë proces.
Ftohen të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës që posedojnë dokumente, fotografi, ose dëshmi tjera të ngjarjeve të rënda të kohës së luftës, që t’i dorëzojnë ato në këtë institut me qëllim të ruajtjes së kujtesës historike dhe ndërtimit të drejtësisë.