Marta Kos anulon vizitën në Serbi pas nderimeve për Ratko Mlladiçin
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi, pas reagimeve që pasuan vdekjen dhe nderimet ndaj ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Sipas Reuters, trupi i Mlladiçit u transportua drejt Beogradit me një avion të qeverisë serbe, ndërsa ceremonia e pritjes dhe nderimet e bëra ndaj tij kanë shkaktuar kritika nga zyrtarë evropianë.
Komisionerja Marta Kos njoftoi se, në këto rrethana, kishte vendosur të mos zhvillonte vizitën e planifikuar në Serbi. Përmes një reagimi në platformën X, ajo deklaroi se glorifikimi që ka shoqëruar vdekjen e Mlladiçit është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt Bashkimit Evropian.
Mlladiç vdiq në moshën 84-vjeçare, teksa vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Ai ishte shpallur fajtor nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Funerali i tij pritet të mbahet të hënën në Beograd, ndërsa zhvillimet kanë nxitur reagime të forta ndërkombëtare dhe debat të ri rreth raportit të Serbisë me të kaluarën e luftërave të viteve ’90.
Burimi: Reuters / A1 info