Lufta Psikologjike Propagandistike dhe Qasja e Shqiptarëve me Dokumentet e Dyshimta Serbe si Armë Kundër Stabilitetit të Kosovës
Në hapësirën shqiptare po zhvillohet prej kohësh një betejë e heshtur: lufta psikologjike dhe propagandistike, e cila nuk operon me tanke, por me “dokumente”, “rrjedhje informacioni”, portale të dyshimta dhe figura publike që i shërbejnë shumë më tepër narrativës së të tjerëve sesa interesit të Kosovës.
Publikimi i një “odluke” të supozuar nga arkivat e Serbisë, i shpërndarë me ngut nga disa media dhe komentatorë rajonal shqiptarë, nuk ishte as gazetari, as hulumtim, as zbulim arkivor. Ishte operacion propagandistik, një akt tipik i luftës hibride që ka për qëllim të godasë simbolikisht një lider politik, të krijojë kaos perceptues dhe të dobësojë besimin e shoqërisë ndaj vetvetes.

Por pyetja themelore mbetet:
Si është e mundur që portale shqiptare, në një kohë kur qytetarë të Kosovës arrestohen në Serbi vetëm pse kanë vizituar vendin, paskan qasje të lirë në arkivat më të kontrolluara të shtetit serb?
Kjo pyetje e shemb në thelb pretendimin se kemi të bëjmë me “zbulim gazetaresk”. Në realitet, kemi të bëjmë me një kanal komunikimi që nuk vjen nga media, por nga strukturat e inteligjencës së Serbisë, të cilat historikisht kanë përdorur dokumente të manipuluara ose të nxjerra nga konteksti për të ndërtuar narrativat që u interesojnë.
Kollaboracionizmi i Ri mediatik: nën petkun e opinionistit
Disa zëra që paraqiten si “analistë”, “gazetarë” apo “komentatorë”, janë shndërruar në valvola transmitimi të narrativave që nuk prodhohen as në Prishtinë e as në Tiranë, por në rrethet propagandistike të Beogradit.
Është po aq e dyshimtë fakti se përpara çdo publikimi të tillë, disa prej tyre shfaqen shpesh në territoret e Serbisë dhe pastaj kthehen në Shqipëri ose Kosovë me “dosje ekskluzive”, të cilat më shumë i përkasin një teme kafeje me raki sesa një pune serioze arkivore.
Nëse dikush mendon se kjo është gazetari, atëherë s’kemi kuptuar ende se çfarë do të thotë luftë hibride.
Sulmi ndaj Kryeministrit Kurti nuk është personal — është strategjik
Ajo që po ndodh nuk ka të bëjë me preferencat politike.
Nuk ka të bëjë as me Albin Kurtin si individ.
Kjo është një ofensivë ndaj institucionit të shtetit të Kosovës, përmes një prej figurave më të njohura të procesit politik post-luftë.
Sulmi kërkon të krijojë idenë e një “faji historik”, sikur një dokument i sjellë nga agjencitë e huaja do ta rrëzojë legjitimitetin e një lideri që prej më shumë se dy dekadash ka qenë simbol i kundërshtimit ndaj regjimeve serbe.
Por logjika e fakteve është e pamëshirshme:
Po të kishte ekzistuar ndonjë bazë reale për ndonjë aktakuzë, Vojislav Koštunica nuk do ta falte askënd. Ai ishte kontinuitet i aparatit të Millosheviqit, jo distancim prej tij.
Nëse ndodhi lirimi i të burgosurve politikë dhe ushtarakë shqiptarë, kjo nuk ishte vullnet i Koštunicës.
Ky ishte presion i faktorit ndërkombëtar, i zbatueshëm nën monitorimin e organizatave ndërkombëtare, përfshirë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Prandaj publikimi i dokumenteve të tilla të dyshimta nuk përbën vetëm shpifje ndaj Kurtit;
është poshtërim i gjithë atyre që kanë vuajtur burgjet serbe, dhe që u liruan si rezultat i një procesi ndërkombëtar, e jo përmes mëshirës së pushtetit serb.
Fabrika e dokumenteve të falsifikuara si instrument destabilizimi
Historia na mëson se Serbia ka prodhuar dokumente të manipuluara për të ndërtuar narrativat e veta që nga Jugosllavia e Mbretit Aleksandër, te UDBA, e deri te zhyrat e sotme të SHISH-it serb.
Këto dokumente nuk kanë qëllim informimin — kanë qëllim destabilizimin.
Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku:
Kosova nuk rrezikohet aq shumë nga propaganda serbe, sesa nga kanalet e brendshme që e shpërndajnë me zell.
Sot sulmohet Kurti.
Nesër mund të jetë cilido institucion tjetër.
Dhe çdo herë mjetet do të jenë të njëjta: dokumente të dyshimta, analistë të vetë-emëruar, portale pa integritet dhe një publik i bombarduar me informacione të fabrikuara.
Kosova nuk duhet të bjerë pre e luftës psikologjike
Në një kohë tensionesh të shtuara rajonale, propagandës i mjafton një shkëndijë për të krijuar krizë.
Lufta informative po synon të bindë qytetarët se institucionet e tyre janë të dobëta, të përçara apo të korruptuara.
Në fakt, shënjestra e vërtetë është stabiliteti i Kosovës dhe aftësia e saj për të marrë vendime të pavarura në politikën e brendshme dhe të jashtme.
Prandaj duhet bërë e qartë:
Dokumentet e dyshimta nuk janë gazetari.
As nuk janë histori.
Janë armë.
Dhe armët e luftës psikologjike neutralizohen me vigjilencë, me transparencë dhe me refuzimin kategorik të shndërrimit të portaleve të dyshimta në instrumente të shërbimeve të huaja.