Lirohet avokati Çedomir Stojkoviq, i hiqet masa që ia ndalonte daljet publike
Avokati serb Çedomir Stojkoviq njoftoi se gjykata ka shfuqizuar masën që i ndalonte t’i drejtohej publikut dhe të merrte pjesë në protesta, një vendim që ai e cilësoi si fitore për lirinë e shprehjes në Serbi.
Në reagimin e tij, Stojkoviq tha se masa ishte vendosur në mënyrë të paligjshme dhe se refuzimi i tij për ta respektuar atë, duke u thirrur në Kushtetutë, çoi në paraburgimin e tij për 130 ditë.

“Ky është një hap i vogël për mua, por një hap i madh për qytetarët e Serbisë dhe çdo njeri të lirë. Është konfirmim se liria e fjalës nuk mund të ndalohet vetëm sepse dikujt i pengon”, shkroi ai.
Sipas Stojkoviqit, çmimi personal që pagoi ishte i lartë, por ai beson se sakrifica e tij ishte e justifikuar nëse shërben për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.
Ai theksoi se shumë figura të mëdha të historisë kanë paguar çmime të ngjashme ose edhe më të mëdha për lirinë e shprehjes dhe shtoi se askush nuk duhet të përballet më me masa të tilla në Evropën e shekullit XXI.
Në fund të mesazhit, ai falënderoi të gjithë mbështetësit e tij, duke shkruar: “Ju dua të gjithëve!”.