Letër e hapur drejtuar Nenad Mitroviqit për përjashtimin sistematik të shqiptarëve, romëve dhe serbëve lokalë nga institucionet shtetërore
Drejtuar: Z. Nenad Mitroviq, Koordinator për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë
Nga: Një qytetar me përkatësi kombëtare shqiptare nga Lugina e Preshevës
I nderuar z. Mitroviq,
Me shqetësim të thellë dhe indinjatë qytetare kam ndjekur deklaratën tuaj të fundit, ku në një mënyrë patronizuese i drejtoheni z. Ragmi Mustafi, duke thënë se dëshironi ta “mësoni” se si bëhet punësimi në institucionet shtetërore të Republikës së Serbisë përmes konkursit publik.
Edhe unë dëshirova t’ju “mësoj”, edhe pse besoj se ju këtë e dini shumë mirë por po e përdorni njohurinë tuaj për qëllime të gabuara.
Nëse me të vërtetë e besoni atë që thoni, atëherë ose jeni krejtësisht i shkëputur nga realiteti në terren, ose qëllimisht po përpiqeni të mashtroni opinionin publik dhe të fshehni një të vërtetë të hidhur: diskriminimin sistematik dhe institucional ndaj shqiptarëve, romëve dhe madje edhe serbëve lokalë në jug të Serbisë.
Përmendni përgatitjen trejavore për pjesëtarët e komunitetit shqiptar para pranimit në polici, por harroni një fakt kyç testimet nuk janë zhvilluar në gjuhën shqipe, edhe pse shqipja është gjuhë zyrtare në komunat e Preshevës dhe Bujanocit. Kjo nuk është thjesht çështje praktike, është detyrim kushtetues dhe ligjor:
• Sipas nenit 14 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, ndalohet çdo diskriminim, përfshirë edhe atë mbi baza kombëtare;
• Neni 11 i Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve dhe shkrimeve përcakton që, në zonat ku pjesëtarët e pakicave kombëtare jetojnë tradicionalisht, gjuha e tyre duhet të jetë në përdorim zyrtar të barabartë.
Në Preshevë, shqiptarët përbëjnë mbi 97%, në Bujanoc mbi 60% të popullsisë. Atëherë, pse procedura e pranimit në marrëdhënie pune nuk u zhvillua në gjuhën që është zyrtare në ato komuna?
Ju flisni për “konkurs publik”, por në praktikë ai është vetëm një fasadë për manipulim institucional. Vendet e punës nuk ndahen sipas dijes apo meritës, por sipas lidhjeve partiake, familjare dhe klanore. Në polici, gjyqësor, dogana shqiptarët, romët, madje as serbët lokalë, pothuajse nuk ekzistojnë. Këto janë sisteme të mbyllura ku dominon monopoli politik dhe etnik.
Personalisht, kam qenë pjesë e atij sistemi në fillim të viteve 2002. Jam pranuar pas konfliktit të UÇPMB-së, pa e ditur gjuhën serbe. Gjatë punës me kolegët serbë, mësova gjuhën nëpërmjet bashkëpunimit të përditshëm. Gjuha nuk është pengesë, por diskriminimi është. Ajo që ndodh sot është një spastrim etnik administrativ, që prek jo vetëm shqiptarët, por edhe serbët pa mbështetje politike, dhe romët që janë krejtësisht të padukshëm në sektorin publik.
Prandaj, z. Mitroviq, nuk keni as të drejtë morale, as institucionale të mbani ligjërata për ligjin dhe barazinë, përderisa përfaqësoni një sistem që ua mohon të drejtat bazë pakicave kombëtare të drejta të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Serbisë.
Në vend të retorikës dhe premtimeve boshe, ju ftoj të përballeni me problemet reale: diskriminimin, përjashtimin dhe mungesën e përfaqësimit të vërtetë të pakicave kombëtare në institucionet shtetërore.
Kjo letër nuk është sulm – por një apel për drejtësi, të vërtetën dhe barazi.
Nuk kërkojmë mëshirë. Kërkojmë respektimin e ligjit.
Asgjë më shumë. Asgjë më pak.
Me respekt,
Kujtim Sadriu
Qytetar i Luginës së Preshevës