LDK thërret mbledhje të Grupit Parlamentar pas letrës së Kurtit për koalicion
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Grupit Parlamentar, pas letrës që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me ftesë për formim të një koalicioni qeverisës.
Lajmin e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili në një deklaratë për media tha se shefja e Grupit Parlamentar, Hykmete Bajrami, ka ftuar deputetët për konsultime.
“Paska shkruar Hykmejta, ‘nëse jeni afër, hajdeni në grup’. Tani po shkoj,” u shpreh Gashi.
Ai theksoi se është për diskutime mes partive politike, edhe kur qëllimi është refuzimi.
“Gabimet politike që i ka bërë Albin Kurti janë të vazhdueshme, por megjithatë, duhet të ulemi dhe të diskutojmë. Qoftë për të shkuar në zgjedhje, qoftë për t’i thënë Kurtit: ‘i ke 48 deputetë, vazhdo ose tërhiqu’,” deklaroi Gashi.
Ai theksoi se ulja në tryezë nuk nënkupton domosdoshmërisht koalicion apo refuzim, por është një hap drejt një debati të domosdoshëm demokratik.
“Diskutimi duhet të ndodhë dhe të gjitha partitë politike duhet të jenë pjesë e tij,” përfundoi Gashi.
A1info