Ky është turisti portugez që u vra në Ksamil, ndërhyri për të shuar sherrin
Është publikuar fotoja e Luis Miguel Varela Mendes, turistit 20-vjeçar portugez që humbi jetën tragjikisht pasi u godit me thikë gjatë një konflikti në Ksamil.
I riu ndodhej me një grup shokësh për pushime në jug të Shqipërisë, kur një konflikt i nisur në ambientet e një lokali përfundoi me vrasjen e tij.
Sipas Top Channel, shokët e viktimës janë marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe kanë treguar momentet që i paraprinë ngjarjes së rëndë.
Sipas dëshmive, sherri dyshohet se nisi pas ngacmimit të një vajze dhe më pas situata u përshkallëzua, duke përfshirë disa persona.
Në përpjekje për të qetësuar situatën ndërhynë edhe punonjësit e sigurisë. Në këto momente, 20-vjeçari portugez dyshohet se u fut mes personave të përfshirë për t’i ndarë.
Por ndërhyrja e tij përfundoi tragjikisht. Luis Varela Mendes u godit me thikë dhe plagët e marra rezultuan fatale.
“Sherri nisi për ngacmimin e një vajze. Në konflikt u përfshinë disa persona. Luis Varela u fut për të shuar konfliktin”, mësohet të kenë deklaruar shokët e viktimës.
Për ngjarjen dyshohet shtetasi shqiptar Sokrat Vata, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.