Kushtetuesja: Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me votim të hapur
Prishtinë, 8 gusht 2025 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur nga të gjithë deputetët e pranishëm.
Në aktgjykimin e shpallur sot, Kushtetuesja konstatoi se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me vendimin e saj të 26 qershorit. Si pasojë, të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 6 korrik u shpallën të pavlefshme.
Gjykata urdhëroi kryesuesin e seancës konstituive të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së miratuar më 8 prill 2025 dhe të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar të propozojë kandidatin ose kandidaten për kryetar të Kuvendit. Sipas vendimit, votimi për të njëjtin kandidat mund të përsëritet deri në tre herë.
Po ashtu, Kushtetuesja kërkoi që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të jenë të pranishëm dhe të votojnë të gjithë deputetët e zgjedhur.
Ky vendim pritet të hapë rrugën për zgjidhjen e ngërçit institucional që ka paralizuar punën e Kuvendit për muaj të tërë.