Kurti “zgjedh” shqiptarët e Luginës? Jashtë takimit mbetet edhe kryetari i Bujanocit dhe i tër spektri politik në Luginë
Qasja selektive e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj spektrit politik shqiptar në Luginën e Preshevës po ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si Prishtina e percepton dhe e respekton legjitimitetin politik të përfaqësuesve shqiptarë në këtë rajon.
Siç mëson A1 Info, në takimin e rëndësishëm nuk është ftuar as kryetari i Komunës së Bujanocit, ndërsa jashtë tij kanë mbetur edhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të faktorit politik shqiptar në Luginë.

Kjo nuk është më vetëm çështje protokolli.
Nëse në një takim ku diskutohet për interesat e shqiptarëve të Luginës nuk përfshihen përfaqësues të zgjedhur që gëzojnë mbështetjen e mijëra qytetarëve, atëherë shtrohet pyetja se mbi çfarë kriteresh përcaktohet se kush e përfaqëson Luginën para institucioneve të Kosovës.
Faktorët politikë të lënë jashtë përfaqësojnë së bashku mbi 10 mijë votues. Vota e tyre nuk mund të bëhet e padukshme vetëm sepse përfaqësuesit që ajo ka prodhuar nuk i përkasin rrethit politik të preferuar nga Prishtina.
Në qendër të kritikave është edhe raporti i afërt i Qeverisë Kurti me Partinë për Veprim Demokratik (PVD), e cila në vazhdimësi është perceptuar si partneri i privilegjuar i Prishtinës në Luginë.
Edhe mënyra e shpërndarjes së fondeve të dedikuara për Luginën ka nxitur akuza dhe dyshime për favorizim politik dhe përfitim të strukturave të afërta partiake. Pikërisht për këtë arsye kërkohet transparencë e plotë: kush ka përfituar, mbi çfarë kriteresh dhe me çfarë rezultatesh?
Fondet e Kosovës për Luginën nuk janë pronë e asnjë partie dhe nuk duhet të perceptohen si mekanizëm për forcimin e një grupimi politik kundrejt të tjerëve. Ato janë mjete të destinuara për qytetarët shqiptarë dhe interesi i përgjithshëm duhet të jetë kriteri i vetëm i shpërndarjes së tyre.
Ironia politike është edhe më e madhe sot, kur Lugina po përballet me zbrazje demografike dhe dobësim të vazhdueshëm të faktorit shqiptar.
Në një moment kur shqiptarëve u nevojitet koordinim dhe unitet, politika selektive nga Prishtina rrezikon të prodhojë pikërisht të kundërtën: përçarje, mosbesim dhe thellim të ndarjeve politike.
Kryeministri Kurti nuk mund ta reduktojë pluralizmin politik të Luginës në një parti të vetme. Aq më pak mund të anashkalohet legjitimiteti i përfaqësuesve që mandatin e kanë marrë drejtpërdrejt nga qytetarët.
Lugina nuk është PVD-ja dhe PVD-ja nuk është e gjithë Lugina.
Nëse Prishtina dëshiron të jetë faktor bashkimi për shqiptarët në Luginë, duhet t’i dëgjojë të gjithë dhe ta respektojë votën e qytetarëve pavarësisht se kujt ia kanë dhënë.
Në të kundërtën, pyetja bëhet e pashmangshme:
A po e mbështet Qeveria Kurti Luginën e Preshevës, apo vetëm pjesën e spektrit politik që i përshtatet asaj?