Kurti propozon Glauk Konjufcan për president, refuzon Vjosa Osmanin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.
Sipas burimeve të IndeksOnline, gjatë takimit Kurti i ka kërkuar Abdixhikut që LDK-ja të sigurojë kuorumin për Glauk Konjufcën si kandidat për president. Ky takim është një nga tri takimet që dy liderët kanë zhvilluar brenda një jave, me synim gjetjen e një zgjidhjeje dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
Pas përfundimit të takimit, LDK-ja ka mbledhur strukturat e saj për të diskutuar lidhur me propozimin. Nënkryetari i partisë, Kujtim Shala, ka bërë të ditur se pas konsultimeve do të ketë një deklaratë zyrtare.
Ndërkohë, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka konfirmuar se takimi u mbajt në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e presidentit dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Ajo nuk ka komentuar për emra konkretë, por ka theksuar se do të bëjnë gjithçka brenda kompetencave për të evituar një proces të ri zgjedhor.
Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka deklaruar se qëndrimin e tij personal lidhur me çështjen e presidentit dhe presidenten aktuale e ka shprehur brenda strukturave të partisë, duke shtuar se do të respektojë vendimin që do të merret nga LDK-ja.