Kurti: Mirësevjen në Lëvizje, Mendurim!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një deklarate publike ka mirëpritur Mendurim Preshevën në Lëvizje, duke vlerësuar përvojën e tij profesionale dhe angazhimin institucional në Preshevë.

Kurti theksoi se Mendurim Presheva është jurist me përgatitje universitare në drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare, me përvojë në administratë publike, përfaqësim institucional dhe jetën politike në Luginën e Preshevës. Ai ka shërbyer si zëdhënës i Komunës së Preshevës, ka kryer praktikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe aktualisht ushtron funksionin e këshilltarit në Kuvendin Komunal të Preshevës.
Në deklaratën e tij, Kurti rikujtoi edhe angazhimin e Preshevës në Alternativën për Ndryshim, ku ka mbajtur pozita të ndryshme drejtuese, përfshirë ato të nënkryetarit, zëdhënësit dhe sekretarit të përgjithshëm.
Mendurim Presheva aktualisht është këshilltar në Kuvendin Komunal të Preshevës nga radhët e Alternativës për Ndryshim, subjekt politik i udhëhequr dikur nga Shqiprim Arifi dhe tani nga Visar Memeti. Arifi në vazhdimësi ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit Kurti dhe politikave të tij.

Pas deklaratës së Kurtit, mbetet të shihet nëse Mendurim Presheva do të vazhdojë aktivitetin e tij politik brenda Alternativës për Ndryshim apo do të vendosë të largohet nga kjo parti dhe t’i bashkohet zyrtarisht Lëvizjes. Në këtë fazë, nuk ka pasur një deklarim publik nga Presheva lidhur me statusin e tij politik brenda subjektit që përfaqëson.