Kurti godet opozitën: Votuan Zajednicën e Demarkacionin, por jo Albulena Haxhiun
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër deputetët e opozitës për mosvotimin e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si një përplasje jo vetëm politike, por edhe gjinore.
Në një mbledhje të Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se mosvotimi i Haxhiut nga partitë që dikur ishin në pushtet, reflekton mentalitetin patriarkal dhe hierarkik që ende e pengon avancimin e grave në pozita të larta shtetërore.
“Lufta kundër kryetares së GVV, Albulena Haxhiu, nuk është vetëm përplasje politike apo partiake, por edhe përballje gjinore,” theksoi Kurti, duke kujtuar se Haxhiu ishte gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai i akuzoi deputetët e opozitës se janë të njëjtët që më parë votuan për marrëveshje si “Zajednica”, Gjykata Speciale, amnistia për kriminelët në veri dhe demarkacioni me Malin e Zi – ndërkohë që sot refuzojnë ta votojnë Haxhiun dhe ia pamundësojnë Kuvendit edhe kuorumin për votim të fshehtë.
“5 deputetë opozitarë i kanë votuar të katër këto vendime të dëmshme për vendin, kurse Albulena asnjërën prej tyre,” tha Kurti, duke shtuar se refuzimi për ta mbështetur atë është shkelje ndaj vullnetit të qytetarëve.
Burimi koha.net. Transmeton A1 info