Kur pushteti mbyll sytë, Medvegja 20 ditë mbetet në terr (foto)
Shqiptarët e Medvegjës po përballen me diskriminim të hapur dhe heshtje të plotë nga ata që duhet t’i përfaqësojnë. Deputetët dhe drejtuesit institucionalë heshtin, ndërsa banorët luftojnë për mbijetesë pa energji, pa ndihmë dhe pa shpresë.
Ata që për të ruajtur karriget derdhin “lot krokodili”, sot e kanë lënë Medvegjën në terr – në kuptimin e plotë të fjalës.
Në vijim, artikulli i plotë nga Medvegja.net tregon gjendjen dramatike në komunë:
Rreth 20 ditë pa rrymë – situata në Medvegjë mbetet e rëndë!

Medvegjë, 18 Tetor (Medvegja.net)
Banorët e komunës së Medvegjës po përballen prej rreth 20 ditësh me kushte jashtëzakonisht të vështira pas reshjeve të dendura të borës.
Rrugët janë liruar pjesërisht vetëm nga vetë banorët, të cilët me mjete të improvizuara kanë hapur rrugët dhe po përpiqen të mbajnë qarkullimin minimal.
Rrjeti elektrik mbetet shumë i dëmtuar në pothuajse të gjitha fshatrat, ndërsa shumica e familjeve ende janë pa energji elektrike.
Nga burime lokale të Medvegja.net mësohet se dëmet në rrjetin elektrik janë shumë të mëdha dhe nuk ka asnjë indikacion që shteti i Serbisë ka plane serioze për ndarjen e mjeteve për sanimin e tyre.

Banorët, të cilët për dy javë me radhë vet i hapën rrugët, tani kanë filluar të pastrojnë trasenë e largpërçuesve elektrikë dhe në disa raste janë në kërkim të shtyllave e komponentëve elektrikë, pasi filiala lokale e energjisë elektrike (EPS) në Medvegjë nuk ka mjete në dispozicion për riparimet e nevojshme.
Pamjet e siguruara nga Medvegja.net ku shihet Tupalla e Dukati tregojnë qartë dëmet në rrjetin elektrik dhe gjendjen e rënduar në terren.
Banorët kërkojnë reagim urgjent dhe ndihmë konkrete për rikthimin e kushteve minimale të jetesës.
#Medvegja #Tupalla #Dukati #PaRrymë #Bora #KushtetEJetesës #ApelPerNdihmë