Kryetarja e Komunës së Preshevës zhvilloi ballafaqim sy më sy me qytetarët
Preshevë, 6 shkurt 2026 – Komuna e Preshevës sot hapi dyert për qytetarët, duke u shndërruar në një hapësirë dialogu të drejtpërdrejtë mes kryetares së komunës dhe bashkëqytetarëve.

Dhjetëra qytetarë u pritën gjatë ditës për të shprehur shqetësimet, nevojat dhe pritjet e tyre lidhur me çështje të ndryshme që prekin jetën e përditshme. Gjatë takimeve u diskutua hapur për tema si infrastruktura, çështjet sociale dhe probleme konkrete me të cilat përballen qytetarët çdo ditë.
Nga Komuna u theksua se nuk ka tema tabu dhe se asnjë problem nuk konsiderohet i vogël. Çdo shqetësim i paraqitur nga qytetarët, sipas drejtuesve komunalë, mbetet prioritet i punës institucionale.
“Parimi ynë është i qartë: asnjë qytetar nuk mbetet i padëgjuar. Ne dëgjojmë, ne shënojmë dhe ne veprojmë”, u theksua gjatë këtij ballafaqimi.
Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe bashkëpunimit mes institucionit komunal dhe qytetarëve, me synimin e përbashkët për një Preshevë më të zhvilluar dhe më të denjë për të gjithë banorët e saj.








