Kryetarja e Komunës së Preshevës pret në takim Kryetarin e Komunës së Likovës
Sot, Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, priti në takim Kryetarin e Komunës së Likovës, z. Erkan Arifi. Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave, si dhe për projektet e përbashkëta zhvillimore që pritet të aplikohen në thirrjen e ardhshme të programit IPA Cross-Border.
Përfaqësuesit e të dy komunave vlerësuan se Presheva dhe Likova, përveç kufirit administrativ, i lidhin marrëdhënie të forta shoqërore, familjare dhe kombëtare, të cilat krijojnë bazë të qëndrueshme për bashkëpunim afatgjatë.
Palët u dakorduan të vazhdojnë koordinimin institucional me fokus në projekte që synojnë përmirësimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik në të dyja komunat.