Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, Takim me Komisionaren për Refugjatë të Serbisë
Preshevë, 2 Prill 2025 – Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me Komisionaren për Refugjatë të Republikës së Serbisë, znj. Natasha Stanisavljević, dhe stafin e saj. Takimi u përqendrua në kërkesa konkrete që synojnë përmirësimin e kushteve për qytetarët e Preshevës dhe fuqizimin ekonomik të rajonit përmes përfshirjes më të madhe të komunitetit lokal në menaxhimin e Kampit të Refugjatëve në stacionin hekurudhor të qytetit.
Gjatë bisedës, kryetarja Sinani theksoi nevojën për punësimin e banorëve lokalë në stafin e kampit, duke krijuar mundësi të reja për qytetarët e Preshevës dhe duke forcuar lidhjen mes komunitetit dhe kampit të refugjatëve. Ajo kërkoi gjithashtu që bizneset lokale të angazhohen në ofrimin e shërbimeve dhe produkteve për kampin, një hap që do të nxiste zhvillimin ekonomik të zonës dhe do të mbështeste prodhuesit vendas përmes përdorimit të produkteve vendore në furnizimet e kampit.
Një tjetër çështje e ngritur nga kryetarja Sinani ishte përmirësimi i infrastrukturës lokale në zonën e stacionit hekurudhor, përfshirë rehabilitimin e kanalizimit fekal dhe të ujërave të shiut, për të garantuar kushte më të mira për qytetarët dhe për të mbrojtur shëndetin publik.
Komisionarja Stanisavljević dhe ekipi i saj u shprehën të gatshëm të shqyrtojnë kërkesat e paraqitura nga kryetarja Sinani dhe të punojnë së bashku për një bashkëpunim më të frytshëm. Ky angazhim synon të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e Preshevës nga fondet e Bashkimit Evropian dhe të sigurojë që kampi i refugjatëve të kontribuojë në zhvillimin e komunitetit lokal.