Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, inspekton punimet në stadiumet e qytetit: “Rinia dhe sporti janë prioritet për ne! (Foto galeri)
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vizituar sot stadiumin e madh dhe atë të vogël të qytetit për të inspektuar nga afër ecurinë e punimeve. Ajo theksoi se rinia dhe sporti janë ndër prioritetet kryesore të qeverisjes së saj, duke shtuar se këtë angazhim po e dëshmojnë çdo ditë përmes punëve konkrete në terren.
“Po finalizojmë punimet në Stadionin e Madh të Futbollit – një investim i shumëpritur që do t’i japë rinisë një hapësirë moderne dhe të denjë për zhvillimin e sportit dhe aktiviteteve komunitare,” u shpreh Sinani.
Ndërkohë, përmirësime po bëhen edhe në Stadionin e Vogël, ku po eliminohet rreziku nga dëmtimet e mundshme për sportistët, përmes zëvendësimit të plastikës së vjetruar me bar artificial cilësor.
“Investimet në infrastrukturën sportive janë investime në të ardhmen e shëndetshme dhe aktive të rinisë sonë,” përfundoi ajo.
Këto projekte janë pjesë e vizionit të Komunës për të krijuar kushte më të mira për të rinjtë dhe zhvillimin e jetës sportive në Preshevë.
A1info





