Kryetarja Ardita Sinani prezanton Vlerësimin e Realizimit Buxhetor 2025
Preshevë – Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka prezantuar sot Vlerësimin e Realizimit Buxhetor për vitin 2025, duke theksuar se ky vit shënon rezultate konkrete dhe stabilitet të qëndrueshëm financiar për komunën.
Buxheti i miratuar në dhjetor të vitit 2024 është dëshmuar si realist dhe i zbatueshëm, ndërsa rezultatet e vitit 2025 konfirmojnë menaxhim të përgjegjshëm dhe efikas të mjeteve publike.
Të hyrat mbi planifikim
Të hyrat e planifikuara për vitin 2025 ishin 1,057,132,908 dinarë, ndërsa realizimi arriti në 1,070,604,445 dinarë, ose 101.27% të planit. Ky tejkalim i planifikimit dëshmon kapacitet real për mbledhjen e të hyrave dhe stabilitet financiar, edhe në kushte ekonomike sfiduese.
Efikasiteti më i lartë i viteve të fundit
Efikasiteti i përgjithshëm buxhetor për vitin 2025 ka arritur në 96.13%, duke shënuar rezultatin më të mirë të viteve të fundit dhe duke tejkaluar vitin 2023 (84.10%) dhe 2024 (88.51%). Ky trend rritës reflekton planifikim realist dhe qeverisje të përgjegjshme.
Shpenzime të realizuara pothuajse në tërësi
Shpenzimet e planifikuara ishin 1,057,132,908 dinarë, ndërsa shpenzimet e realizuara 1,029,185,712 dinarë, apo 97.36% e planit. Ky nivel i lartë realizimi tregon disiplinë fiskale dhe zbatim të projekteve me mbulesë reale financiare, pa krijuar deficit apo borxhe të panevojshme.
Sipas kryetares Sinani, rezultatet e vitit 2025 e pozicionojnë Komunën e Preshevës mbi mesataren e komunave në Serbi dhe rajon, duke dëshmuar se qeverisja aktuale sjell punë konkrete, stabilitet financiar dhe besueshmëri institucionale për qytetarët.