Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar i drejtohet BE-së: Lugina e Preshevës nuk duhet të anashkalohet më!
Bujanoc, 28.05.2025– Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) i është drejtuar zyrtarisht Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, duke ngritur shqetësimin për mungesën e Luginës së Preshevës në agjendën e vizitës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, znj. Kaja Kallas, gjatë qëndrimit të saj në rajon javën e kaluar.
Në letrën drejtuar Delegacionit të BE-së, kryetari i KKSH thekson se injorimi i një rajoni ku shumica e popullsisë janë shqiptarë dhe ku dokumentohen shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut, është i papranueshëm nga një përfaqësuese e lartë e institucioneve evropiane.
“Pasivizimi i adresave – një praktikë e dokumentuar nga vetë Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian – ka lënë mijëra shqiptarë pa të drejtë vote, pa qasje në shërbime dhe të përjashtuar nga jeta institucionale. Ata janë fshirë, sikur të mos ekzistonin,” thuhet në reagimin e KKSH-së.
Kryetari thekson se ndërkohë që përfaqësues të BE-së vizitojnë Veriun e Kosovës për të dëgjuar komunitetin serb, Lugina e Preshevës mbetet sistematikisht jashtë vëmendjes ndërkombëtare.
“Trajtimi i pakicave nuk mund të jetë selektiv. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta për të drejtat e njeriut. Kërkojmë që BE të përfshijë Luginën në vizitat zyrtare dhe të dëgjojë zërin e shqiptarëve të këtij rajoni, ku shkeljet nuk janë thjesht shqetësime – janë përditshmëri,” përfundon deklarata.
Këshilli Kombëtar Shqiptar i bën thirrje institucioneve evropiane të trajtojnë Luginën me seriozitetin që meriton dhe të promovojnë barazi dhe të drejta për të gjithë qytetarët në rajon, pa përjashtim.
A1 info