Kryetari i Bujanocit kërkon drejtësi për futbollistët e Tërnocit – i drejtohet MPB-së dhe OSBE-së | A1 info
Kryetari i Komunës së Bujanocit nuk ndalet në përpjekjet e tij për zbardhjen e rastit të ndodhur në Bosilegrad, ku futbollistë të klubit “Tërnoci” u keqtrajtuan nga Policia serbe. Ai ka njoftuar sot se i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe misionit të OSBE-së në këtë shtet, përmes dy letrave të ndara.
“Në të dyja letrat kam kërkuar hetim të detajuar dhe të paanshëm ndaj dhunës së ushtruar ndaj bashkëqytetarëve tanë në Bosilegrad. Kam theksuar domosdoshmërinë për ndërmarrjen e masave ndaj zyrtarëve policorë që në mënyrë flagrante kanë shkelur Ligjin, si dhe zbardhjen e plotë të prapavijës tendencioze të rastit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ngjarja ka shtuar ndjeshëm ndjenjën e pasigurisë te sportistët shqiptarë që marrin pjesë në garat sportive në Serbi, duke kërkuar një reagim urgjent institucional.
“Sportistët tanë, veçmas futbollistët e Tërnocit, nuk e meritojnë të dhunohen. Me djersën e tyre ata kërkojnë vetëm të trajtohen njësoj si të tjerët”, theksoi kryetari.
Ai është i vetmi udhëheqës politik në rajon që ka dalë publikisht në përkrahje të futbollistëve menjëherë pas incidentit, duke i pritur personalisht në ditën kur ndodhi rasti.
Ndërkohë, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KNSH), ka reaguar vetëm përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar: “Nëse keni nevojë, më thoni”. Megjithatë, ai nuk është takuar me anëtarët e klubit futbollistik “Tërnoci”.

A1 Info