Kryeshefi i Administratës Komunale mbajti ligjëratë për parandalimin e korrupsionit për punonjësit e administratës në Preshevë
Preshevë – Në sallën e Kuvendit Komunal në Preshevë u mbajt një ligjëratë me temën “Korrupsioni në Republikën e Serbisë”, e organizuar për punonjësit e administratës komunale. Ligjërata u mbajt nga Kryeshefi i Administratës Komunale me synimin për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të forcuar integritetin institucional në ushtrimin e detyrave zyrtare.

Gjatë prezantimit u trajtuan koncepti dhe format e korrupsionit, karakteristikat kryesore të tij, zhvillimi historik i këtij fenomeni në Serbi, lidhja me krimin e organizuar, si dhe veprat penale të parashikuara nga legjislacioni i Republikës së Serbisë që lidhen me korrupsionin.
Pjesëmarrësit u informuan edhe për pasojat që korrupsioni ka në funksionimin e institucioneve publike, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve ndaj administratës publike. Në këtë kuadër u theksua rëndësia e transparencës, përgjegjshmërisë dhe respektimit të ligjit si parime themelore në ushtrimin e funksioneve publike.
Në përmbyllje të ligjëratës u theksua se lufta kundër korrupsionit kërkon angazhimin e çdo nëpunësi publik, zbatimin e drejtë të ligjit dhe forcimin e integritetit institucional. Qëllimi mbetet ndërtimi i një administrate më efikase, ofrimi i shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe rritja e besimit të publikut në institucionet komunale.