Kryeministri në detyrë Albin Kurti: Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të SHBA-së në Venezuelë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes përgjegjëse të aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave.
Sipas Kurtit, përfshirja e strukturave shtetërore në aktivitete kriminale përbën një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare dhe përpjekjet globale kundër narkotikëve, ndërsa ndëshkimi i tyre është thelbësor për suksesin e kësaj lufte.
Ai theksoi se Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve, si dhe kundër përpjekjeve për të cenuar vlerat demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave.
Në këtë kontekst, Kurti ritheksoi nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj disa aktorëve rajonalë, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të synojnë destabilizimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake, si në rajon ashtu edhe më gjerë.