KRIZA E KONSTITUIMIT TË KUVENDIT DHE NEVOJA PËR NJË KULTURË TË RE POLITIKE
Shkruan: Nehat Hyseni
Republika e Kosovës ndodhet përsëri përballë një prej provave më serioze të funksionimit të rendit të saj kushtetues dhe institucional. Nuk kemi më të bëjmë vetëm me një mosmarrëveshje ndërmjet partive politike, me një konflikt rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit apo me një problem procedural të brendshëm parlamentar.
Më 7 gusht 2026 skadoi afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Ky afat kishte nisur pas certifikimit zyrtar të rezultateve zgjedhore dhe lidhej drejtpërdrejt me kërkesën kushtetuese që seanca konstituive të mbahej brenda tridhjetë ditësh.
Fakti që afati ka kaluar pa u përmbyllur konstituimi i Kuvendit e fut Republikën në një fazë të re të krizës institucionale.
Këtu duhet të jemi juridikisht të saktë: nuk është detyrë e një analisti politik të shpallë përfundimisht se cili subjekt ose individ ka kryer shkelje kushtetuese. Kjo i takon Gjykatës Kushtetuese. Por është plotësisht e ligjshme dhe e domosdoshme të thuhet se afati kushtetues ka skaduar dhe se mosrealizimi i detyrimit kushtetues ka krijuar një situatë të jashtëzakonshme institucionale që kërkon interpretim dhe zgjidhje kushtetuese. Kjo është shumë më tepër sesa një debat, është çështje e shtetit, Republikës! Në themel të çdo Republike demokratike qëndron një parim i thjeshtë: Kushtetuta është ligji më i lartë i shtetit.
Ajo nuk është program partie. Nuk është deklaratë politike. Nuk është marrëveshje që zbatohet vetëm kur palët pajtohen.
Dhe nuk është tekst simbolik që mund të anashkalohet kur interesat politike hyjnë në konflikt. Neni 66 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se Kuvendi zgjidhet për mandat katërvjeçar, i cili fillon nga dita e seancës konstituive dhe se kjo seancë duhet të mbahet brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Ky formulim ka rëndësi të jashtëzakonshme. Ai tregon se kushtetutëbërësi nuk ka dashur që konstituimi i Kuvendit të mbetet pa kufi kohor.
Sepse demokracia parlamentare nuk mund të funksionojë nëse pas zgjedhjeve ekziston vetëm rezultati zgjedhor, por nuk ekziston institucioni. Afati 30-ditor nuk duhet kuptuar si një afat teknik, administrativ ose dekorativ. Ai është një mekanizëm kundër bllokadës institucionale.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, rezultatet u certifikuan më 8 korrik. Prej kësaj date nisi të rrjedhë afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të ri. Sipas raportimeve të publikuara para skadimit të afatit, 7 gushti ishte dita e fundit për përfundimin e këtij procesi. Por procesi nuk u përmbyll.
Seanca konstituive vazhdoi të mbetej e bllokuar dhe, sipas raportimeve të 7 gushtit, afati përfundoi në mesnatë pa u arritur konstituimi i plotë. Kështu, Kosova hyn në një territor institucional të rrezikshëm. Pyetja nuk është më:
“A do të konstituohet Kuvendi brenda afatit?”
Kjo pyetje tashmë i përket së kaluarës. Pyetja tani është: “Çfarë ndodh pasi afati kushtetues ka skaduar?” Dhe kjo pyetje nuk mund të zgjidhet vetëm me konferenca shtypi, deklarata partiake apo interpretime politike.Ajo kërkon përgjigje juridike.
NDRYSHIMI MIDIS KRIZËS POLITIKE DHE KRIZËS KUSHTETUESE
Kosova ka pasur edhe më parë kriza politike. Kriza politike është normale në demokraci. Partitë nuk pajtohen. Koalicionet dështojnë.
Negociatat mund të ndërpriten. Opozita mund të kundërshtojë shumicën. Një kandidat mund të mos marrë votat e nevojshme. Këto janë pjesë e jetës demokratike. Por ekziston një vijë e kuqe:
Kur konflikti politik pengon zbatimin e një detyrimi kushtetues, kriza politike fillon të marrë karakter kushtetues.
Kjo është pikërisht arsyeja pse situata e 8 gushtit 2026 nuk mund të trajtohet si një tjetër episod i zakonshëm i konfliktit ndërpartiak.
Problemi është bërë sistemik. Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje, institucionet duhet të kenë mekanizma për ta kapërcyer bllokadën. Nëse mekanizmat nuk funksionojnë, duhet të veprojë Kushtetuta.
Nëse edhe Kushtetuta interpretohet në mënyrë kontradiktore, duhet të veprojë Gjykata Kushtetuese. Por asnjëra nga këto nuk duhet të përdoret si zëvendësim i vullnetit politik për kompromis. Gjykata mund të interpretojë Kushtetutën. Ajo nuk mund të prodhojë zgjidhje.
Partia mund të fitojë zgjedhjet. Por ajo nuk mund ta fitojë Republikën!
Një nga keqkuptimet më të rrezikshme të demokracisë moderne është ideja se fitorja zgjedhore i jep fituesit të drejtën të bëjë gjithçka.
Nuk është kështu. Në demokraci, fitorja në zgjedhje është legjitimitet për të qeverisur brenda Kushtetutës. Jo jashtë saj!
Një parti mund të marrë numrin më të madh të votave. Mund të jetë subjekti më i madh parlamentar. Mund të pretendojë të drejtën e parë për formimin e qeverisë. Por ajo duhet të negociojë me aktorët e tjerë kur nuk ka shumicën e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit/tes.
Kjo nuk është dobësi. Është demokraci. Kompromisi nuk është dobësi. Përkundrazi, në sistemet parlamentare, kompromisi është mekanizmi përmes të cilit vota e qytetarëve shndërrohet në qeverisje.
Prandaj, nëse një forcë politike fiton zgjedhjet, por nuk ka numrat e nevojshëm për të, ajo duhet të kuptojë një të vërtetë themelore:
Populli mund t’i japë një partie epërsi politike, por Kushtetuta i përcakton kufijtë e pushtetit!
Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është pronë e LVV-së, PDK-së, LDK-së, AAK-së.
Nuk është pronë e asnjë partie tjetër.
Kuvendi është institucion i Republikës!
Deputetët marrin mandat nga qytetarët, por pasi marrin mandatin, detyra e tyre është të veprojnë brenda rendit kushtetues. MKy dallim duhet të bëhet shumë qartë: Partia është organizatë politike, Kuvendi është institucion shtetëror. Lideri është individ politik. Republika është institucion i përhershëm. Qeveria është e përkohshme. Kushtetuta është themeli juridik i shtetit – Republikës.
Nëse këto kategori përzihen, atëherë krijohet personalizimi i shtetit. Dhe personalizimi i shtetit është një prej rreziqeve më serioze për demokracitë e reja.
Edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të përcaktojë më tej pasojat juridike të skadimit të afatit, ekziston një përgjegjësi që nuk mund të zhduket pas formulave juridike.Është përgjegjësia politike. Kur qytetarët zgjedhin 120 deputetë, ata nuk i zgjedhin për t’i parë në një maratonë të pafundme procedurash. I zgjedhin për: të miratuar ligje; kontrolluar qeverinë; miratuar buxhetin; mbrojtur interesin publik; për të përfaqësuar qytetarët; garantuar funksionimin demokratik të shtetit.
Kur Kuvendi nuk arrin të konstituohet, qytetari humb diçka shumë më të madhe se një seancë parlamentare: humb përfaqësimin efektiv, humb kohë, humb besim. Dhe Republika humb kredibilitet.
Kjo është arsyeja pse bllokada institucionale duhet të shihet edhe si çështje e demokracisë përfaqësuese.
Një shtet modern nuk mund të funksionojë vetëm me qeveri në detyrë, administratë dhe institucione ekzekutive.
Kuvendi është një nga shtyllat kryesore të sistemit kushtetues. Ai është vendi ku përkthehet vullneti elektoral në ligj.Kur ai nuk funksionon, krijohet një boshllëk demokratik., dhe funksionaliteti i tij dobësohet. Dhe dobësimi institucional ka pasoja konkrete: ekonomike, juridike, sociale, diplomatike dhe të sigurisë.
Investitori kërkon stabilitet. Partnerët ndërkombëtarë kërkojn parashikueshmëri.
Qytetari kërkon institucione. Administrata kërkon bazë ligjore dhe buxhetore. Aleatët kërkojnë një shtet që mund të marrë vendime. Në politikën ndërkombëtare, stabiliteti institucional është pjesë e fuqisë së një shteti.
Prandaj kriza e Kuvendit nuk është vetëm çështje e politikanëve në Prishtinë. Ajo është çështje e pozitës së Kosovës në rajon.
Një nga rreziqet më të mëdha të krizave të përsëritura është normalizimi i tyre.
Fillimisht qytetarët shqetësohen. Pastaj protestojnë, zemërohen dhe në fund lodhen.
Kjo është pikërisht ajo që duhet parandaluar!
Një demokraci nuk duhet të mësohet me mosfunksionimin e institucioneve. Sepse kur mosfunksionimi përsëritet, ai fillon të perceptohet si normalitet. Dhe një shtet që e pranon bllokadën si normalitet fillon ta humbë kulturën e përgjegjësisë institucionale.
Kosova ka kaluar nëpër shumë periudha të vështira. Ka kaluar luftë, represion, administrim ndërkombëtar., ka shpallur pavarësinë, ka ndërtuar institucione, ka fituar njohje ndërkombëtare. ka krijuar ushtrinë dhe institucionet e sigurisë, ka ndërtuar një sistem demokratik.
Të gjitha këto janë arritje të mëdha. Por shtetndërtimi nuk përfundon me shpalljen e pavarësisë. Shtetndërtimi është proces i përhershëm.
Dhe sot një nga detyrat kryesore të Kosovës është të dëshmojë se Republika është më e fortë se çdo parti.
GJYKATA KUSHTETUESE: GARANT I KUSHTETUTËS, JO ARBITËR I POLITIKËS!
Në këtë krizë, Gjykata Kushtetuese do të ketë një rol të jashtëzakonshëm. Por edhe këtu duhet të ruhet një ekuilibër. Gjykata nuk duhet të shndërrohet në një arenë ku partitë transferojnë konfliktet e tyre politike.
Politikanët duhet të zgjidhin sa më shumë probleme përmes dialogut politik.
Gjykata duhet të ndërhyjë kur është cenuar Kushtetuta.
Kjo është ndarja e drejtë e roleve. Gjykata nuk duhet të qeverisë. Qeveria nuk duhet të gjykojë.
Parlamenti nuk duhet të interpretojë në mënyrë arbitrare Kushtetutën.
Askush nuk duhet të tejkalojë kompetencat kushtetuese. Kurse partitë nuk duhet të vendosin veten mbi institucionet.
Ky është thelbi i shtetit të së drejtës!
ÇFARË DUHET TË BËJË POLITIKA KOSOVARE?
Kosovës sot nuk i duhet një tjetër përplasje. I duhet një marrëveshje. Jo domosdoshmërisht një koalicion i madh politik, por një pakt minimal për funksionimin e Republikës.
Ky pakt duhet të përmbajë disa parime themelore:
- Kushtetuta mbi interesin partiak
Asnjë parti nuk duhet ta interpretojë Kushtetutën sipas nevojës së momentit. - Republika mbi liderin
Asnjë lider nuk është më i rëndësishëm se institucioni. - Kompromisi mbi bllokadën. Kompromisi është instrument i demokracisë, jo dobësi politike!
- Institucionet mbi emocionet
Vendimet shtetërore nuk duhet të merren nga zemërimi politik. - Përgjegjësia mbi propagandën
Qytetarëve duhet t’u shpjegohet e vërteta, edhe kur ajo është e pakëndshme.
Opozita është pjesë e sistemit demokratik.
Shumica qeveris, por Kushtetuta kufizon pushtetin e shumicës!
Në këtë moment të vështirë, të gjithë aktorët institucionalë duhet të tregojnë maturi: Partia fituese duhet të tregojë se di të qeverisë jo vetëm kur fiton zgjedhjet. Opozita duhet të dëshmojë se kundërshtimi politik nuk do të thotë bllokim i shtetit. Deputetët duhet ta kuptojnë se mandati i tyre nuk është pronë personale.
Gjykata Kushtetuese duhet të ruajë autoritetin e saj juridik, pavarësinë dhe standardin e interpretimit kushtetues.
Të gjithë kanë një përgjegjësi të përbashkët:
ta shpëtojnë funksionalitetin institucional nga logjika e konfliktit partiak. Në këtë situatë nuk duhet fajësuar vetëm politika. Duhet parë edhe roli i qytetarit.
Qytetari demokratik nuk duhet të jetë tifoz partie. Ai duhet të jetë qytetar i Republikës.
Nuk duhet të pyesë vetëm: “Kush fitoi?”
Duhet të pyes: “Çfarë fitoi Republika?”
Nuk duhet të pyesë vetëm: “Cili lider është më i fortë?”. Duhet të pyesë: “Sa të forta janë institucionet?”. Nuk duhet të pyesë vetëm: “Cila parti është patriotike?” Duhet të pyesë: “Cila politikë e forcon realisht shtetin?”
Patriotizmi nuk matet vetëm me fjalë!
Patriotizmi institucional matet me respektimin e Kushtetutës, ligjit, institucioneve, qytetarit dhe interesit afatgjatë të Republikës.
Kosovës i duhet një patriotizëm i ri:
Jo patriotizëm që matet me zhurmën e deklaratave.
Jo patriotizëm që përdoret për të heshtur kritikën.
Jo patriotizëm që e barazon një parti me kombin!
Por një patriotizëm qytetar dhe institucional.
Ta duash Kosovën do të thotë ta respektosh Republikën!
Ta respektosh Republikën do të thotë të respektosh Kushtetutën. Ta respektosh Kushtetutën do të thotë të pranosh kufizimin e pushtetit. Ta pranosh kufizimin e pushtetit do të thotë të pranosh demokracinë, dhe ta pranosh demokracinë do të thotë të pranosh se askush nuk është mbi shtetin.
Kjo është një formë më e pjekur e patriotizmit!
Përtej krizës së sotme, Kosova duhet të mendojë për një reformë më të thellë të kulturës së saj politike.!
Ndoshta ka ardhur koha që partitë politike, institucionet dhe shoqëria civile të diskutojnë seriozisht për një Pakt të Republikës.
Ky pakt nuk do të ishte marrëveshje për pushtetin!
Një reformë e tillë do të ishte shumë më e rëndësishme se një tjetër marrëveshje e përkohshme ndërmjet liderëve.
Sepse Kosova nuk ka nevojë vetëm për zgjidhjen e krizës së sotme. Ajo ka nevojë të parandalojë krizën e nesërme.
Kriza aktuale mund të përdoret për të nxjerrë mësime. Mund të bëhet momenti kur Kosova vendos se:
Asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën!
Asnjë opozitë nuk është mbi interesin e shtetit!
Asnjë lider nuk është mbi institucionin!
Asnjë parti nuk është Republika!
Asnjë mandat zgjedhor nuk është mandat për pushtet pa kufij!
Nëse këto parime bëhen pjesë e kulturës politike, kriza e sotme mund të shndërrohet në një pikë kthese.
Nëse jo, atëherë ekziston rreziku që Kosova të vazhdojë të përsërisë të njëjtin cikël:
zgjedhje → bllokadë → krizë → interpretim kushtetues → zgjedhje të reja → bllokadë e re.
Ky do të ishte një dështim jo vetëm i politikanëve. Do të ishte dështim i kulturës demokratike dhe jo vetëm. PËRFUNDIM
Kosova sot ndodhet në një moment të rëndësishëm të historisë së saj institucionale.
Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka skaduar. Ky është një fakt kushtetues dhe politik që nuk mund të relativizohet me retorikë partiake.
Por ajo që do të ndodhë më tej duhet të përcaktohet në mënyrë të matur, juridike dhe institucionale. Nuk është koha për hakmarrje politike, as për gjuhë që e ndan shoqërinë.
Nuk është koha për ta përdorur Republikën si armë kundër kundërshtarit. Është koha për ta mbrojtur Republikën!
Kosova ka nevojë për liderë që dinë të qeverisin pa e bllokuar shtetin. Republika ka nevojë për liderë që dinë të fitojnë pa e absolutizuar fitoren.
Ka nevojë për opozitë që kundërshton pa e dëmtuar funksionimin institucional. Ka nevojë për qytetarë që votojnë me mendje dhe jo vetëm me emocion.
Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një kulturë politike në të cilën Kushtetuta nuk interpretohet sipas interesit të ditës, por respektohet si kontrata themelore e Republikës.
Kosova nuk duhet të lejojë që kriza e institucioneve të bëhet krizë e shtetit.
Republika nuk është pronë e liderit dhe partisë fituese të zgjedhjeve, as e opozitës dhe shumicës. Republika është shtëpia kushtetuese e të gjithë qytetarëve të saj.
Prandaj, në këtë moment historik, mesazhi duhet të jetë i qartë:
Mos e shkatërroni Republikën duke luftuar për pushtetin!
Mos e vendosni partinë mbi Kushtetutën!
Republika duhet te jetë mbi liderin, kurse Demokracia mbi pushtetin!
Kosova nuk ka nevojë për një maratonë tjetër krizash. Kosova ka nevojë për një maratonë të re të shtetndërtimit. Dhe kjo maratonë duhet të fillojë me respektimin e Kushtetutës!
Preshevë, 8 gusht 2026