Kritika dhe kërkesa të qarta në Bujanoc: Shqiptarët ende përballen me diskriminim institucional
Bujanoc – Në përvjetorin e themelimit të Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, u mbajt sot një aktivitet përkujtimor ku morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe të ftuar të shumtë. Në këtë jubile, u theksua se pavarësisht më shumë se dy dekadave nga themelimi i këtij mekanizmi shtetëror, qëllimet kryesore për të cilat ai është krijuar mbeten të parealizuara.

Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, u rikujtua se Trupi Koordinues u themelua pas krizës së fillimviteve 2000 dhe kishte për mision stabilizimin e zonës, zhvillimin ekonomik e social dhe integrimin e shqiptarëve në sistemin shoqëror, ekonomik dhe politik të Serbisë. Programi i masave, i miratuar nga Qeveria Republikane dhe ajo Federale në shkurt të vitit 2001 dhe i mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, parashihte obligime konkrete për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Megjithatë, u vlerësua se realiteti sot dëshmon për mungesë përparimi dhe, në disa segmente, për përkeqësim të situatës. U theksua se përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në institucionet shtetërore, përdorimi i barabartë i gjuhës, zgjidhja e problemeve në arsim – përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës – si dhe përfshirja në polici dhe drejtësi, vazhdojnë të mbeten sfida serioze.
Si veçanërisht shqetësuese u cilësua praktika e pasivizimit të adresave, e cila ka bërë që shumë qytetarë shqiptarë të humbin të drejta themelore qytetare dhe politike, duke u bërë administrativisht “të padukshëm”. Sipas fjalimit, kjo praktikë bie ndesh me standardet evropiane dhe minon besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Po ashtu, u kritikua shuarja e Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore, e cila u cilësua si hap prapa në qasjen ndaj drejtësisë, si dhe buxheti i pamjaftueshëm i Trupit Koordinues, që nuk përputhet me nevojat reale të rajonit. U theksua se projektet infrastrukturore dhe bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë janë zvogëluar ndjeshëm, sidomos pas pandemisë COVID-19.
Në fjalim u ngrit edhe çështja e përfaqësimit të pamjaftueshëm të shqiptarëve në nivelet vendimmarrëse të vetë Trupit Koordinues, duke u vlerësuar se ky organ nuk funksionon si një mekanizëm partneriteti të barabartë.
Në përfundim, u bë thirrje që ky jubile të shërbejë si moment reflektimi dhe rishqyrtimi thelbësor, duke kërkuar:
zbatimin e plotë të marrëveshjeve të viteve 2001, 2009 dhe 2013; ndërprerjen urgjente të pasivizimit të adresave; reformimin e Trupit Koordinues me përfaqësim të balancuar kombëtar; rritjen e buxhetit dhe orientimin e tij drejt projekteve strategjike; riaktivizimin e partnerëve ndërkombëtarë të zhvillimit.
U theksua se komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës mbetet i përkushtuar ndaj dialogut dhe partneritetit, por pret respektim të obligimeve të marra, barazi reale dhe politika që ndërtojnë besim, stabilitet dhe perspektivë evropiane për rajonin dhe për shtetin në tërësi.